GJKKO lë në arrest shtëpie avokatin Bardhi Koçi. Ai akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
SPAK akuzon Koçin se i ka marrë 4 mijë euro një gruaja e cila ndodhej në hetim, për të ndikuar te gjyqtari zbutjen e pozitës së saj penale.
NJOFTIMI
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 03.03.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje të personit të arrestuar Bardhi Koçi”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 248, 228 e vijues të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 29, datë 03.03.2025, vendosi:
1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 të K.Pr.Penale, të caktuar ndaj të hetuarit Bardhi Koçi, i biri i Emin dhe i Lalote, i datëlindjes 29.01.1957, lindur në ****, dhe banues në ****, me shtetësi shqiptare, me gjendje civile i martuar dhe me dy fëmijë, me gjendje gjyqësore i padënuar më parë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal.
2. Urdhërohet policia gjyqësore dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zbatimin e këtij vendimi.
3. Kundër këtij vendimi lejohet ankim, në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 5 (pesë) ditëve duke filluar nga e
nesërmja e njoftimit të vendimit.