Akademiku Artan Fuga ka reaguar edhe një herë për problematikën në universitet, dhe ka bërë një kërkesë publike për transparencën e fondeve.
Në një analizë të gjatë Fuga shkruan se “skifterët” e politikës, kanë grabitur “lepujt” univeritarë.
“Kur krahasoj ne universitarët me «laraska», « dele », « harabela », e bëj duke përdorur edhe metaforën « trumcakë » sepse para kësaj grabitjeje të dhunëshme ne jemi struktur, trembur, nuk kemi ditur të mbrojmë dhe t’i dalim zot një pasurie që nuk ishte jona, por populli na e kishte besuar për t’a përdorur për të mësuar e emancipuar fëmijët e tij”, shkruan më tej në analizën e gjatë akademiku Fuga.
ANALIZA E PLOTË E ARTAN FUGËS
Kërkesë për transparencë :
Si na kanë grabitur « skifterët » e politikës ne « lepujt » universitarë !
Në këto vite kur politika sundon gjithçka, bën shiun, erën, diellin, tërmetet, cunamitë, është krejt e çuditshme dhe me interes të kuptohet se përse ajo ka sulmuar veç pushteteve të tjera, me përparësi ka goditur universitetin.
Ka vend për t’u shpjeguar kjo që ka ndodhur. Përse kanë goditur, plackitur, grabitur, bërë fërtele, leckë rrëzuar përdhé kështjellën universitare ?
E kanë kafshuar duke i hequr vit pas viti llokma të mëdha duke e bërë si peshkun e madh të Heminguejit që doli në breg pothuajse skelet.
E di që sapo bëj këtë pyetje, të gjithë kanë përgjigjen e tyre. Por, unë nuk dëshiroj të nxitohem. Më parë le t’i marrim faktet një e nga një, me sira.
Me cfarë e provoj unë që skifterët e politikës na kanë grabitur ne harabelat, ne laraskat, ne delet e universitetit ?
Kur krahasoj ne universitarët me « laraska », « dele », « harabela », e bëj duke përdorur edhe metaforën « trumcakë » sepse para kësaj grabitjeje të dhunëshme ne jemi struktur, trembur, nuk kemi ditur të mbrojmë dhe t’i dalim zot një pasurie që nuk ishte jona, por populli na e kishte besuar për t’a përdorur për të mësuar e emancipuar fëmijët e tij.
Ne trumcakët u stepëm nga skifterët.
Le t’i marr me rradhë ; Pastaj do të bëj dhe dy thirrje në fund që t’i dëgjojnë kolegët e mi universitarë cep më cep të Shqipërisë dhe mbase vihen në mendime.