Jacob L. Shapiro*/ “Geopolitical Futures”
Kryeministrja britanike, Theresa May, njoftoi, pak ditë më parë, se do të thërrasë zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat do të mbahen në datën 8 qershor, dhe çka, sipas të gjitha qëllimeve e synimeve, do të jetë një tjetër verdikt, nëse Britania duhet të largohet apo jo nga Bashkimi Evropian.
Muajin e shkuar, parlamenti skocez votoi në favor të mbajtjes së një referendumi të dytë mbi pavarësinë nga Londra. Turqit shkuan në votime fundjavën e kaluar dhe u shprehën në shumicë pro rritjes së kompetencave të presidentit Erdogan. Edhe rajoni i Katalonjës do të mbajë këtë vit një referendum për t’u shkëputur nga Spanja. Kurdët e Irakut janë duke folur ngjashëm për një referendum mbi pavarësinë në vitin 2017.
Franca do të ketë një president të ri pas 7 majit dhe, në rast se Marine Le Pen fiton, ajo do të punojë për organizimin e një referendumi, nëse Franca duhet të vazhdojë të qëndrojë apo jo në Bashkimin Evropian.
Kjo nuk është një listë shteruese. Është veç një shembull i vogël i përhapjes së këtyre lloj proceseve zgjedhore. Ato paraqesin një ndryshim në mënyrën se si funksionon politika demokratike. Kur Britania iu bashkua Komunitetit Ekonomik Evropian, në vitin 1973, mbajti vetëm një referendum në vitin 1975, dy vite pas anëtarësimit.
Detajet më të rëndësishme u përpunuan nga qeveria e zgjedhur britanike dhe jo nga publiku. Në pjesën më të madhe të historisë moderne të Republikës turke, grushtet ushtarake kanë qenë po aq të rëndësishme sa edhe vota, kur vinte puna për formimin e qeverisë. Izraeli nuk u krijua nga një referendum, por përmes luftës me fqinjët e tij. Kur presidenti amerikan, Woodrow Wilson, donte t’i bashkohej Lidhjes së Kombeve, ai nuk e hodhi këtë çështje për votim nga populli amerikan. Wilson-i u bllokua, por kjo ndodhi për shkak të senatit amerikan.
Fjala “demokratike”, filloi të mendohet si një sinonim i termit “i virtytshëm”. Veçse, ato nuk janë sinonime. Një vend që e qeveris veten nga një demokraci e pastër, do të ekzistojë në një gjendje anarkie dhe jo lirie. Liria në kontekstin e demokracisë përfaqësuese, nuk është ideja se çdo njeri ka të drejtë të shprehë vullnetin e vet dhe, nëse një individ nuk është dakord, diçka s’duhet të bëhet.
Strukturat demokratike, që ekzistojnë tek shtetet-kombe, janë të ndërtuara mbi parimet e qeverisë përfaqësuese. Qeveria përfaqësuese fillon me njohjen e faktit se çdo njeri nuk është krijuar si i barabartë. Aftësia për të hedhur votën bëhet ekuilibruesi i madh dhe i lejon të gjithëve të zgjedhin një përfaqësues, i cili do të marrë vendime në interesin e përbashkët.
Fuqia dhe liria e njerëzve, qëndron tek aftësia për të mos votuar për një person të caktuar në zgjedhjet e ardhshme dhe jo tek aftësia për të diktuar çdo vendim. Ajo çka po ndodh sot, është se politikanët janë duke u udhëhequr nga qytetarët e tyre, më tepër se sa të jenë vetë udhëheqës. Kur një qeveri i hedh çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet në votim popullor, në vend që të veprojë në përputhje me mandatin e dhënë nga zgjedhjet, rezultati nuk është më vetëm shprehje e vullnetit popullor.
Pasoja është se vendimet mbi atë se çfarë duhet të bëjë një qeveri kombëtare i lihen ndenjave të opinionit publik, në vend të gjykimit të dikujt që ka fituar besimin e shoqërisë. Puna e një udhëheqësi politik është të veprojë në interesin më të mirë të vendit, dhe jo në interesin më të mirë të individëve. Nëse ai udhëheqës është vazhdimisht në kërkim të mbështetjes qytetare, në lidhje me çdo vendim, kjo e saboton qëllimin. Rezultati është sundimi i masës, megjithëse në një formë më të civilizuar.
Udhëheqësit politikë janë shpesh të pafuqishëm për të zgjidhur problemet që rëndojnë mbi popujt e tyre. Mënyra për të parandaluar Brexit-in, do të kishte qenë, që kryeministri i atëhershëm David Cameron, t’i siguronte britanikët se emigrantët sirianë nuk po kërkonin strehim në Evropë. Mënyra për të parandaluar ngjitjen e Le Pen-it dhe Frontit Kombëtar në pushtet, do të kishte qenë përgjysmimi i papunësisë dhe dyfishimi i rritjes ekonomike nga ana e presidentit François Hollande.
Hendeku mes asaj që udhëheqësit politikë individualë mund të bëjnë dhe asaj çfarë duan të bëjnë, është i gjerë. Puna e tyre nuk është të ndreqin problemet, për shkak se shumë probleme janë ose të pandreqshme, ose shtrihen përtej aftësive të një individi apo edhe një qeverie. Nga ana tjetër, puna e një lideri politik është t’iu japë njerëzve besimin se situata është duke u menaxhuar me kompetencë dhe duke pasur në mendje interesin më të mirë të popullit.
Kur një udhëheqës politik e hedh barrën e vendimmarrjes mbi popullin, ai është duke pranuar se nuk e di se cila është më e mira. Lëvizje të tilla, janë të justifikuara nga pretendimi se janë në përputhje me parimet demokratike. Por, këto të fundit, nderohen në mënyrë të mjaftueshme nga zgjedhja e çdo lideri dhe nuk kërkojnë një legjitimim të mëtejshëm.
Rezultati është se popullata e percepton si dobësinë, ashtu edhe pavendosmërinë, nga ana e personit të zgjedhur për të marrë vendime të vështira. Njerëzit atëherë anojnë më tepër në drejtim të politikanëve, që duken më të sigurt ngase kanë zgjidhje për problemin. Punëtori i papunë francez do të konsiderojë votimin për Le Pen-in, për shkak se ajo flet shumë mbi papunësinë dhe mënyrën se si kjo e fundit të ulet.
Le Pen-it ndoshta i mungon fuqia për të nxjerrë Francën në mënyrë të njëanshme jashtë BE-së, edhe pse me ikjen e Francës, punëtori francez ndoshta mund të mos rikthehet në punë. Por këto gjëra kanë më pak rëndësi, se sa ndenja që përjeton një punëtor, se dikush është duke i kushtuar vëmendje dhe se ka një ide se si t’ia zgjidhë problemin.
Kjo nga ana tjetër çon në zgjedhjen e udhëheqësve, për të cilët demokracia nuk është shqetësimi më i rëndësishëm. Është diçka ironike, që në një botë ku shumëkush është i shqetësuar në lidhje me “autoritarizmin në rritje” dhe “demokracinë jo liberale”, të ketë një shtim votash rreth politikave specifike që qeveritë duhet të zbatojnë.
Media është e fiksuar me rritjen e liderëve autoritarë jo liberalë në vende si: Turqia, Hungaria dhe Polonia. Presidenti amerikan, Donald Trump shihet si një proto-autoritar, që është duke sulmuar themelet e demokracisë amerikane. Edhe Brexit është pjesë e kësaj narrative dhe potenciali që një kandidat anti-BE të mund të ngjitet në pushtet në Francë, diskutohet më shumë, sikur kjo përfaqëson një rrezik vdekjeprurës për qytetërimin perëndimor. Problemi me këtë argument është se rritja e këtyre udhëheqësve ndodh në zgjedhje demokratike. Si është e mundur të shpërfillet fakti se në të njëjtën kohë ka më shumë demokraci në botë se kurrë më parë dhe se fundi i demokracisë është gjithashtu i afërt?
Problemi nuk qëndron tek autoritarizmi në rritje. Çështja nuk qëndron as tek ringjallja e fashizmit të viteve 1930, që duket të jetë e vetmja lente, nëpërmjet të cilës disa mund t’i shohin mosmarrëveshjet politike. Çështja është se liderët politikë kanë ndaluar marrjen e vendimeve dhe kanë humbur besimin se puna e tyre kryesore është të marrin vendime. Për rrjedhojë, qeveritë janë duke shtruar për votim pupullor disa nga çështjet më serioze, dhe nuk duhet të cilësohet e habitshme pse rezultatet priren të favorizojnë njerëzit me një kuptim të qartë mbi atë që duhet të bëhet.
Çështja nuk është nëse politikat e propozuara janë efektive apo joefektive, të drejta ose të gabuara. Çështja për shumë individë qëndron tek kapaciteti për të besuar se ata janë duke e vendosur lirinë e tyre në duart e një udhëheqësi, i cili e di se ku qëndron problemi dhe premton të merret me zgjidhjen e tij. Liria s’do të thotë asgjë tjetër përveçse mjerim, për votuesit që kanë humbur punët e tyre dhe që s’mundin t’u garantojnë një jetesë normale familjeve të tyre.
Teoricienët e mëdhenj të qeverisë përfaqësuese e kuptuan se puna më themelore e qeverisë është të mbrojë jetën, lirinë dhe pronën e qytetarëve. Por Fyodor Dostoyevsky e kuptoi se “sekreti i qenies së njeriut nuk është thjesht të jetojë, por të ketë diçka për të jetuar”. Qasjet e udhëheqësve si: Trump, Le Pen dhe të tjerëve, sugjerojnë se cilido duhet të jetojë për kombin dhe se puna më e rëndësishme e qeverisë është të mbrojë këtë të fundit.
Pozicioni i liderëve që thërrasin referendume popullore është se ata nuk kanë idenë më të vogël se cila do të jetë përgjigja, nuk duan të japin llogari, ndaj e lënë popullin të vendosë. Të drejtës së individit për të shprehur një pikëpamje të ngushtë, i jepet prioritet mbi zgjidhjen e problemeve të një vendi. Nuk duhet të habitemi se duke pasur parasysh këto lloj zgjidhjesh, njerëzit të zgjedhin udhëheqës që u japin atyre një arsye për të jetuar. Ata duan liri nga liria e tyre dhe do të vazhdojnë të votojnë për ata që ua garantojnë këtë të drejtë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce