Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, të angazhuar në mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Gjatë fjalës së tij ministri Balla falenderoi të gjitha njësitë policore të përfshira në operacionin mbarëkombëtar të mbarëvajtjes së sezonit turistik, teksa më tej theksoi se ky qark ka vijuar me rezultate të dukshme për goditjen e fenomenit të kultivimit të lëndëve narkotike.
“Falenderoj të gjitha njësitë tona policore të përfshira në operacionin mbarëkombëtar të mbarëvajtjes së sezonit turistik. Në Velipojë falenderoj edhe njësinë Policore Alpine e cila ka bërë dhe bën një punë për t’u lavdëruar në garantimin e sigurisë, në gjetjen dhe sigurimin që çdo turist i cili viziton bukuritë natyrore malore të të gjithë zonës së Shkodrës dhe jo vetëm, të kemi mundësi që ne t’u gjendemi pranë, qoftë t’u japim ndihmën e parë apo t’i kthejmë ato në vendqëndrimet e tyre. Njësia Policore Detare, ka bërë një punë të mirë, gjithashtu edhe Shqiponjat, Policia Kufitare, Policia e Rendit, Policia Rrugore, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë”, tha ai.
Gjithashtu, Balla tha se koha kur Policia e Shtetit fyehej apo kanosej ka marrë fund dhe të gjithë ata persona që ngrenë dorë mbi unformat blu do të dënohen deri në pesë vite burg.
“ Koha kur fyhej Policia e Shtetit, kur agresohet punonjësi i policisë, koha kur punonjësi i policisë së shtetit kanosej apo larg qoftë i rrezikohet jeta ka mbaruar në kuptimin e qasjes së shtetit ndaj kësaj vepre penale. Nëse nuk i bindesh një urdhëri të Policisë së Shtetit dënohesh deri në tre muaj burg, nëse e prek me dorë punonjësin e Policisë së Shtetit mund të dënohesh deri në pesë vite burg. Të gjitha këto janë të shkruara në Kodin Penal. Qe ne të kemi sukses dhe që të rikthejmë besimin tek Policia e Shtetit ne këtij aspekti duhet t’i shkojmë deri në fund.
Unë do të bëj gjithçka që Policia e Shtetit të trajtohet me dinjitet dhe dinjiteti fillon tek respekti ndaj uniformes së punonjësit të policisë”, ka theksuar Balla.