Është shtyrë sërish seanca gjyqësore për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me ngjarjen e “Gërdecit”. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë një mungesë në 109 prokurat e paraqitura nga avokati i familjarëve, Dorjan Matlija
Prokurorët kërkuan kohë për të kryer verifikimet e kësaj prokure, ndërkohë gjyqi i radhës për këtë çështje pritet të jetë më 18 korrik.
Në një deklaratë për mediat pas shtyrjes së seancës, avokati Matlija tha për mediat se mbrojtja për të gjithë familjarët është e njëjtë dhe diskutim ishte i panevojshëm.
“Mbrojtja do të jetë e njëjta, nuk ndryshon nga njëri te tjeetri. Për mua është diskutim i panevojshëm, ja çfarë bën prodhon shtyrjen e një seance tjetër.
Ky proces është karakterizuar me vonesa. Është proces i nisur në 2009 është shtyrë disa herë , u mbyll njëherë, ky proces ka qenë vetëm i vonuar. Ne sot po shohim që të paktën po ec, dhe nuk duam të ketë pengesa. Prandaj ky diskutim për prokura është i panveojshëm. Gjykata do prokura të tjera, të shohim do i bëmë gati dhe do i sjellim herën tjetër”, tha ai.
Fatmir Mediu akuzohet për dy vepra penale për “Shpërdorim detyre”, njëra e parashikuar nga Kodi Penal dhe tjetra nga Kodi Penal Ushtarak, pasi në kohën që ka ndodhur ngjarja ai ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe ngarkohet dhe me përgjegjësi për zbatimin e Kodit Penal Ushtarak.