Kuba është plotësisht pa energji, pasi uragani Ian goditi skajin perëndimor të ishullit, ka njoftuar qeveria. Zyrtarët e vendit thanë se sistemi elektrik po përjeton një kolaps total. Dy persona u raportuan të vdekur dhe ndërtesat u dëmtuan në mbarë vendin. Uragani i kategorisë së tretë, me shpejtësi të erës deri në 195 km/h (120 mph), tani po godet Florida-n.
Në televizionin shtetëror kuban të martën, kreu i autoritetit të energjisë elektrike njoftoi se një ndërprerje në të gjithë ishullin kishte ndodhur si rezultat i prishjes së sistemit elektrik kombëtar, duke lënë 11 milionë njerëz në errësirë.
Një gazetar i një agjencie shtetërore të lajmeve raportoi se 100% e qarqeve elektrike në vend ishin jashtë shërbimit, dhe se “centrali termoelektrik Antonio Guiteras… nuk mund të sinkronizohej”.
Me qendër në Matanzas, 100 km në lindje të kryeqytetit Havana, Antonio Guiteras është centrali më i rëndësishëm energjetik në Kubë. Mbyllja e tij do të thotë se aktualisht nuk ka prodhim të energjisë elektrike në ishull.
Pronari i prodhuesit të famshëm të purove, Finca Robaina, ka postuar foto në rrjetet sociale nga kërdia e shkaktuar nga uragani në fermat e duhanit.
“Ishte apokaliptike, një fatkeqësi e vërtetë”, ka shkruar Hirochi Robaina. Mayelin Suarez, një banore e Pinar del Rio, tha të hënën mbrëma, kur stuhia goditi, ishte “më e errëta e jetës së saj”.
“Ne pothuajse humbëm çatinë e shtëpisë sonë”, i tha ajo Reuters. “Vajza ime, bashkëshorti im dhe unë e lidhëm me litar që të mos fluturonim larg”.
Presidenti kuban Miguel Diaz Canel vizitoi provincën dhe u zotua se do të ngrihej “mbi vështirësitë”, tha presidenca kubane në Twitter.
Një grua 43-vjeçare në provincë u vra pasi u shembën muret e shtëpisë së saj. Një fermer në qytetin San Juan y Martínez u godit nga rryma, ndërsa përpiqej të mbyllte një turbinë që përdoret për ujitje, raportoi New York Times.
Marrë me shkurtime nga BBC. Përshtatur nga Tirana Today