Shfaqja “Të zhveshur, por bashkë”, pas premierës vjen nga e enjte deri në të dielë në orën 19:00 në Teatrin Eksperimental. Shfaqja premierë u prezantua në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Leonard Bombaj ka ngjitur këtë herë në skenë të gjithë familjen, që në këtë shfaqje ndërthurin muzikën, videomesazhet, jetën e përditshme dhe homazhin për artistët që mundohen ta ndryshojnë këtë vend.
Pjesëtarët e kësaj familjeje, plotësohen nga një qenush dhe një tjetër talent i ri, një djalë që me siguri do ta duartrokisni. Por, këtë djalë të veçantë Leonard Bombaj preferon ta mbajë surprizë për publikun që do ta ndjekë.
Titulli i shfaqjes “Të zhveshur, por bashkë” është vetëm një ftesë për të provuar brenda të kundërtat e saj, dilemat, humorin, nostalgjinë.
“Të zhveshur, por bashkë” me nëntitull (A do bëhet ky vend?), është një stand-up komedi dhe show për të gjithë familjen, ku veç argëtimit regjisori Leonard Bombaj sjell dhe aspekte të realitetit e jetës së përditshme në Tiranë.