Komandanti suprem i talebanëve, Hibatullah Akhundzada, është në provincën afgane të Kandahar, kanë raportuar mediat afgane. Zëdhënësi i grupit, Zabihullah Mujahid, u citua nga media të ndryshme të thoshte se Akhundzada do të bënte një dalje publike së shpejti.
Akhundzada, i cili besohet të jetë në të 60-at, ka udhëhequr talebanët që nga muaji maj 2016 dhe është përgjegjës për çështjet politike, ushtarake dhe fetare. Ka pasur raporte të ndryshme në të kaluarën, se ai kishte vdekur.
Në vitet 1980, ai mori pjesë në rezistencën islamike kundër fushatës ushtarake sovjetike në Afganistan, por reputacioni i tij është më shumë i një udhëheqësi fetar se sa i një komandanti ushtarak.
Akhundzada punoi si kreu i Gjykatave të Sheriatit gjatë sundimit të grupit në vitet 1990, dhe ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së tij në Afganistan.
Sidoqoftë, sipas ekspertëve, ai mban lidhje të ngushta me të ashtëquajturën “Quetta Shura” – udhëheqësit talebanë afganë që thuhet se ishin të vendosur në qytetin pakistanez të Quetta.
Burimi i lajmit: BBC. Përshtatur nga Tirana Today