Nga Ido Vock “New Statesman”
Të enjten më 1 korrik, në të gjithë BE-në do të hyjë në fuqi skema e pasaportave të vaksinave anti-Covid, duke i lejuar qytetarët që të udhëtojnë në kohë për pushimet e verës, pa pasur nevojën e futjes në karantinë në pjesën më të madhe të bllokut.
Ky program, është shembulli i fundit i kufijve të BE-së, të cilat rihapen pas deri në 7 muaj bllokimesh rraskapitëse. Në mbarë Evropën, restorantet dhe baret tani janë të hapura. Është hequr gjendja e shtetrrethimi në Itali, ashtu si edhe ndalimi i konsumit të alkoolit në orët e vona të natës në baret e Gjermanisë.
Qeveria franceze ka deklaruar se nga 9 korriku, klubet e natës do të lejohen të hapen në ambiente të mbyllura, por vetëm me kapacitet 75 për qind, me mbajtjen e këshilluar por të jo të detyruar të maskave. Edhe stadiumet ku po zhvillohet “Euro 2020” po mirëpresin tifozët, megjithëse në përgjithësi me një kapacitet të reduktuar.
Rastet e reja të përditshme me Covid-19, po bien nën 30 për 1 milion banorë në vende si Franca dhe Gjermania, pra shumë më poshtë valës së dytë të dimrit që shkoi, kur në disa raste shifra e infektimeve ishte 20 ose më shumë herë më e lartë.
Për më tepër pas një fillimi të ngadaltë, nivelet e vaksinimit në të gjithë BE-në janë rritur në mënyrë drastike. Vetëm më pak se gjysma e popullsisë së BE-së ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, një shifër kjo pak më e ulët sesa SHBA-ja, dhe rreth 15 për qind më e ulët sesa Britania e Madhe.
Ndëkohë, hendeku midis BE dhe Britani-SHBA mbi pjesën e popullatave të tyre që janë vaksinuar plotësisht, është akoma më i madh. Pra gjendja shpirtërore në të gjithë BE-në është optimiste.
Por shqetësimi midis politikë-bërësve, është se kjo verë mund të përsërisë disi situatën e vitit të kaluar, kur moti i mirë bëri që Covid-19 të zbehej ndjeshëm, vetëm për t’u rishfaqur me një lloj “hakmarrjeje” në vjeshtë, duke vrarë mbi 4 herë më shumë evropianë gjatë valëve të dyta dhe të treta, sesa gjatë së parës.
Këto valë u bënë më vdekjeprurëse nga varianti Alfa, për të cilin shkencëtarët besojnë se është rreth 60 për qind më i transmetueshëm se sa llojet e mëparshme të koronavirusit. Varianti mendohet të ketë dalë fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, përpara se të bëhej shumë shpejt dominues në BE dhe në mbarë botën.
Tani, është varianti Delta, ai që po i shqetëson zyrtarët. Mutacioni, që besohet se është shfaqur për herë të parë në Indi, mendohet se është 40-80 për qind më i transmetueshëm se sa varianti Alfa. Sipas Institutit të Shëndetit Publik në Angli, ky variant përbën tashmë thuajse të gjitha rastet e reja në Britani, dhe ku tani rastet e reja janë disa herë më të larta sesa mesatarja e BE-së.
Për të ndaluar përhapjen e variantit Delta, kancelarja gjermane Angela Merkel, ka bërë thirrje për një regjim karantine në të gjithë BE-në për britanikët që hyjnë në bllok. Në fakt, të dhënat sugjerojnë se Delta përbën tani një pjesë në rritje të infeksioneve në Francë dhe Gjermani, edhe pse për shkak të niveleve të ulëta të testimit, shkalla e vërtetë mund të jetë edhe më e lartë.
Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), një agjenci e BE-së, beson se 9 në 10 raste të reja me Covid-19 në BE, do të shkaktohen nga varianti Delta deri në fund të muajit gusht. Gjërat janë shumë ndryshe nga një 1 vit më parë.
Programi i vaksinave nënkupton se shumica e të rriturve të BE-së, kanë një shkallë të mbrojtjes nga antitrupat. Shumica e provave të disponueshme, sugjerojnë se vaksinat funksionojnë edhe kundër variantit Delta, ashtu si kundër varianteve të mëparshme.
Rritja e numrit të rasteve në Mbretërinë e Bashkuar, e drejtuar nga Delta, nuk është përkthyer ende në një rritje të dukshme të shtrimeve në spital dhe vdekjeve.
Nëse vazhdon kjo tendencë, kjo do të thotë se vaksinat e kanë shndërruar një sëmundje virulente në një sëmundje që për shumicën e njerëzve është kryesisht beninje, gjë që do të thotë se rreziku i saj mund të menaxhohet edhe pa kufizime drastike.
Megjithatë ka ende arsye të forta për t’u shqetësuar, në rast se do të kemi sërish shtim të ndjeshëm të rasteve. Një nga arsyet është niveli ende i ulët i vaksinimit. Sipas ECDC, në të gjithë BE-në, rreth një e treta e moshës mbi 80 vjeç, nuk janë ende plotësisht të vaksinuar.
Vetëm 70 për qind e të rriturve mbi 80 vjeç, janë vaksinuar plotësisht në Francë, 10 për qind më pak sesa grupmosha 75-79 vjeç. Ky hendek sugjeron që më të moshuarit – të cilët janë më të prekshëm ndaj vdekjes dhe sëmundjeve të rënda – janë hezitues ose vështirësisht të arritshëm.
Një numër i madh njerëzish në nevojë, që mbeten të pambrojtur, nuk janë një problem i madh kur rastet e reja janë aq të ulëta sa tani. Por do të bëhet, nëse shtohen ato. E njëjta gjë ven për gjithë Evropën. Shumë njerëz janë të gëzuar nga rihapja e shoqërive kryesisht të mbyllura që nga vjeshta e vitit të kaluar. Zyrtarët shpresojnë që bllokimi i këtij viti, që tanimë është hequr, të ketë qenë i fundit.
Burimi: https://www.newstatesman.com/world/europe/2021/06/can-europes-summer-reopening-last
Përshtatur për Tirana Today