Aktualisht, Xhef Bezos është njeriu më i pasur në botë, me një vlerë neto prej 187 miliardë dollarësh. Por jeta e tij para themelimit të “Amazon“, ishte mjaft modeste dhe rritja e tij profesionale para se të bëhej miliarder, është shumë domethënëse për nivelin që ka arritur sot.
Bezos kishte një mentalitet kreativ që në moshë të vogël. Thuhet se ai ishte përpjekur të çmontonte dhe të montonte sërish krevatin e tij të vogël. Ai lindi më 12 janar 1964, në Albykërk në shtetin e Nju Meksikos në SHBA. Kur nëna e tij ishte rreth 17 vjeçe dhe ende shkollë të mesme, ajo lindi Xhefin.
Babai i tij biologjik punonte në një dyqan biçikletash. Por vitin që pasoi, prindërit e tij u divorcuan, gjë që ndërpreu të gjitha lidhjet e tij me babanë e tij biologjik. E ëma e tij, Xheki Giz, u martua sërish 3 vjet më vonë. Xhef u rrit nën kujdesin e burrit të dytë të nënës së tij, Majkëll Bezos, që e birësoi dhe i dha mbiemrin e tij.
Majkëll ndikoi pozitivisht në jetën e të riut Xhef, duke e nxitur vazhdimisht atë të bënte më mirën. Vetë Majk bënte një jetë të vrullshme, dhe kjo dha shansin Xhefit të mësonte nga afër dhe të frymëzohej prej tij. Kur Majkëll nisi punë si inxhinier në “Exxon Corporation”, ai e mori familjen e tij me vete në Teksas.
Ndërkohë Xhef shkoi në Florida, ku përfundoi Shkollën e Mesme Palmeto në Majemi. Bezos ishte i pëlqyer në mësime dhe u zgjodh presidenti i klasës. Ai kishte një aftësi për të kuptuar në detaje sesi funksiononin gjërat, ishte një novator që nga fillimet e jetës së tij.
Bezos nisi të ndërtonte mjete dhe lodra magjepsëse, të cilat i befasuan vëllezërit dhe motrat e tij më të vegjël. Familja e tij ishte shumë mbështetëse ndaj gjithë ambicieve dhe ëndrrave të tij që në moshë të re, dhe kjo ia stimuloi shumë besimin tek vetja.
Kështu kur donte një lodër të zbukuruar si “Infinity Cube”, ai e ndërtoi atë vetë nga e para, pasi familja e tij nuk kishte mundësi financiare t’ia blinte atë lodër të shtrenjtë. Xhef luante me çdo gjë gjente në shtëpi, dhe ndërtoi disa robotë me mjete rrethanore.
Gjithashtu, ai ndërtoi një sistem alarmi që do të binte sa herë që dikush përpiqej të hynte në dhomën e tij. Kur “projektet e tij shkencore” filluan ta bënin shumë rrëmujë dhomën e tij të gjumit, prindërit e tij i ofruan të riut Xhef garazhin si laboratorin e tij personal.
Më vonë, Bezos shkoi në Universitetin e Prinstonit për të ndjekur studimet në një degë të fizikës, pasi ai kishte si idhull fizikanin teorik Stefën Houking. Por shumë shpejt Xhef e kuptoi që fizika nuk ishte vokacioni e tij i brendshëm, ndaj në fund u diplomua për elektronikë dhe shkenca kompjuterike.
Duke pasur një prirje për t’u ngritur mbi mediokritetin, Xhef Bezos ëndërronte ta bënte këtë duke hapur biznesin e tij. Por gjërat në fillim nuk ishin aspak të lehta. Kompanitë e mëdha ia njohën meritat Bezos si një inxhinier i shkëlqyer i softuerëve, gjë që do të ishte një aset për kompaninë, por ai refuzoi shumicën e ofertave të tyre.
Më në fund nisi punë në “Fitel”, një kompani e sapo-krijuar e fibrave optike. Roli i tij ishte të ngrinte një rrjet të ri kompjuterik për biznesin ndërkombëtar. Puna e tij e ardhshme ishte në “Banker’s Trust” në Nju Jork për zhvillimin e sistemeve të menaxhimit në lidhje me fondet e investimeve.
Një nga arritjet e tij më domethënëse para krijimit të “Amazon” ishte anëtarësimi në kompaninë e investimeve në Wall Street, “DE Shaw & Company”. Ai u gradua shumë shpejt në postin e zëvendëspresidentit të saj. Miliarderi i ardhshëm, nisi të shijonte suksesin që në moshën 28-vjeçare.
Bezos e zhvilloi idenë mbi themelimin e “Amazon” gjatë kohës që punonte për “DE Shaw & Company”. Pastaj u frymëzua nga popullariteti në rritje i World Wide Web, duke nisur të zhvillonte një ide për veten e tij. Aktualisht, “Amazon” shet çdo vit mallra me vlerë rreth 136 miliardë dollarë, duke e bërë themeluesin e saj sipërmarrësin më të pasur të teknologjisë në botë.
Përveç se është një biznesmen, krijuesi i Amazon.com, dhe aksioneri më i madh i tij, Bezos është gjithashtu një filantrop dhe një entuziast i eksplorimeve hapësinore. Në fakt, interesi i tij mbi hapësirën daton që në rininë e tij. Kohët e fundit, miliarderi njoftoi se do të tërhiqet nga pozicioni i kreut të “Amazon”, pasi ka kaluar gati 3 dekada nga ndërtimi i faqes së suksesshme të tregtisë online.
burimi: https: https://www.therichest.com/rich-powerful/jeff-bezos-before-amazon
Përshtatur për Tirana Today