Procesi i vaksinimit, imunizimi i tufës, duket se kanë dhënë rezultat mjaft të mirë në uljen e të infektuarve. Vijimi i orës policore ka garantuar nga ana tjetër që të ketë një numër më të vogël të shtrimeve në spitale. Nga ana tjetër, rritja e temperaturave dhe hapja e sezonit veror, ka shtuar edhe më shumë kureshtjen se si do vijohet në këtë periudhë pandemie. Gjatë mbledhjes së Task-Forcës së Turizmit në Golem, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka thënë se këtë vit do të kemi një sezon “covid free” dhe më shumë siguri. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ai shtoi më tej se sistemi i aplikimit për operatorët turistikë është i hapur.
“Megjithatë them që edhe përse po shkojmë mirë me vaksinimin, na duhet që së bashku ekspertët e dy institucioneve tona, t’i paraqesin Komitetit të Ekspertëve një protokoll të caktuar edhe për vitin 2021, pasi përsëri do të duhet të kemi disa rregulla në zbatimin e këtij sezoni ashtu siç në fakt kishim edhe në vitin e kaluar. Por pa dyshim ia dolëm që të ishim një sezon i kontrolluar nga pikëpamja e pandemisë”, u shpreh Klosi.
Ministri Klosi njoftoi më tej se sezoni turistik 2021, do të ketë një protokoll sa i takon masave anti-Covid, për të pasur një situatë të kontrolluar gjatë sezonit turistik.
“Sot deklaroj publikisht nga ky takim i Task-Forcës që hapet sistemi i aplikimit për operatorët turistikë që duan të posedojnë një stacion plazhi. Parimet do të jenë të njëjta si në vitin 2020. Mund të them me plot gojën që ia dolëm të kishim një sistem shumë efikas, nëpërmjet platformës sonë tashmë publike dhe shumë transparente e-Albania. Edhe sezoni turistik 2021 do të ketë një protokoll sa i takon masave anti-Covid, për të pasur një situatë të kontrolluar të COVID-19 gjatë sezonit turistik”, shtoi më tej Klosi.
Nga ana tjetër, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu pohoi se brenda muajit maj do të përfundojë vaksinimi i të gjithë punonjësve të strukturave akomoduese, për të lehtësuar sezonin turistik.
“Deri tani kemi kryer mbi 4 mijë vaksinime në të gjithë rrjetin e tour-operatorëve. Do të vijojmë vaksinimet ashtu sikurse e kemi nisur, me intensitet të shtuar, në mënyrë që të kemi një sezon turistik më të lehtësuar. Brenda muajit maj, do të përfundojmë vaksinimin e punonjësve të strukturave akomoduese, siç e kemi nisur, qoftë në qendrat e vaksinimit të përqendruar por qoftë edhe në strukturat vetë, siç jemi sot në këtë komples, ku po kryhet vaksinimi i stafeve”, përfundoi Manastirliu.