Një burrë i armatosur u qëllua nga agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) në hyrje të selisë së Agjencisë Qendrore të Zbulimit (CIA).
Autoritetet thanë se burri i paidentifikuar u pengua të kalonte hyrjen fillestare në kompleksin e CIA-s jashtë Uashingtonit të hënën pasdite.
Personeli i sigurisë thuhet se u përpoq për disa orë të negociojë me burrin e armatosur për t’u dorëzuar.
FBI-ja tha në një deklaratë se personi “doli nga makina e tij me një armë”…”Subjekti u plagos dhe është transportuar në një spital për trajtim mjekësor”.
Më herët, një zëdhënës i CIA-s tha se ishin në dijeni të situatës jashtë perimetrit të sigurisë së kompleksit, disa qindra metra larg ndërtesës kryesore të agjencisë.
“Kompleksi ynë mbetet i sigurt dhe Zyrtarët tanë të Mbrojtjes dhe Sigurisë që po punojnë rreth incidentit janë personeli i vetëm i agjencisë i përfshirë drejtpërsëdrejti”, tha ai.
Siguria është rritur vitet e fundit në CIA, që ndodhet Langley të Virginias, afër një rruge me trafik të dendur.
Në vitin 1993, një pakistanez, Mir Aimal Kansi, qëlloi dhe vrau dy punonjës të agjencisë dhe plagosi tre të tjerë ndërsa po prisnin për të hyrë në kompleks.
Kansi ishte arratisur në Pakistan dhe u gjet dhe u arrestua katër vjet më vonë. Ai u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, ku u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në vitin 2002. /VOA/