Derbi i së dielës në Milano do të jetë ndryshe nga çdo tjetër që është parë në pjesën më të madhe të dekadës së fundit: një betejë midis dy pretendentëve të vërtetë për titullin. Luan i pari kundër të dytit në renditjen e Serie A pasi Interi parakaloi “rossonerët” për vendin e parë javën e kaluar.
Interi hyn në përballjen e 174-të me rivalët e qytetit, në kuadër të ligës, në krye të renditjes së Serie A. Ata janë vetëm një pikë mbi Milanin, 16 raunde nga fundi, pas një serie prej 12 fitoresh në 15 ndeshje.
Hera e fundit që këto dy skuadra u përballën me njëra-tjetrën si liderë të renditjes teksa zinin dy pozicionet e para në klasifikim ishte prilli i 2011-ës, kur fitorja 3-0 e “rossonerëve” i çoi ata drejt titullit të tyre më të fundit.
Pjesa më e madhe e vëmendjes do të përqendrohet tek yjet e sulmeve respektive : Romelu Lukaku dhe Zlatan Ibrahimovic. Ata shënuan të tre golat e fitores së Milanit në ndeshjen e kaluar dhe u përplasën në fushë në triumfin e fundit të “nerazzurrëve” në Coppa Italia.
Romelu Lukaku dhe Zlatan Ibrahimovic, ish miq të shndërruar në armiq, hundë më hundë, duke lëshuar sinjale të furishme kundër njëri-tjetrit, duke imponuar dominim tek njëri tjetri dhe ofendimet nuk munguan aspak.
Ishin 60 sekonda që menjëherë u siguruan një vend në listën e momenteve më kulminante të derbit milanez.
Tani, që kanë kaluar 25 ditë nga ajo përballje e kupës, kemi vazhdimin dhe, ndryshe nga gjysmëfinalja e ‘Kupës së Italisë’ në janar, kjo ndeshje përcakton shumë në garën për titull.
Sidoqoftë, sipas ish-trajnerit të nderuar të Milanit, Arrigo Sacchi, ylli i vërtetë i shfaqjes mund të gjendet në mesfushën e Interit.
“Kushdo që kërkon prototipin e futbollistit modern duhet të shikojë te Nicolò Barella dhe do të jetë i kënaqur,” tha Sacchi në kolonën e tij për ‘La Gazzetta dello Sport’.