Atentatet kanë qenë gjithnjë një mënyrë e preferueshme për zgjidhjen e konfliktit, për të shmangur luftën totale, e cila mund të jetë shumë e kushtueshme. Por disa prej këtyre atentateve, ishin aq shumë ndikuese, sa që arritën jo vetëm synimin e tyre, por shkaktuan pasojat që do të jehonin në të gjithë botën edhe për vitet që do të pasonin.
Ne nuk jemi të sigurt nëse këta vrasës synonin të ndryshonin historinë, por dimë që nëse nuk do t’i kishin kryer ato vrasje, bota do të kishte qenë një vend shumë më ndryshe nga sa është sot.
Xhihadi Islamik Egjiptian
Vrasja e presidentit egjiptian Anvar Sadat në vitin 1981 u krye nga anëtarët e Xhihadit Islamik Egjiptian (EIJ), një nga grupet më të hershme islamike radikale në rajon. Ata ishin maskuar si ushtarë gjatë një parade ushtarake.
Pak kohë më parë Sadat kishte nënshkruar një marrëveshje për paqe me Izraelin, dhe kishte refuzuar të zbatonte Sheriatin si politikë shtetërore. Atentati shkaktoi efektin e kundërt. Pasardhësi i Sadat, Hosni Mubarak, i forcoi më tej lidhjet e Egjiptit me Izraelin, si dhe goditi rëndë organizatat islamike në të gjithë vendin.
Ushtria Republikane Irlandeze
Në teori, komploti i IRA-s për të vrarë Lordin Mauntbaten – stërnipine Mbretëreshës Viktoria – në vitin 1979 ishte thjesht një gjest simbolik. Vrasja ishte menduar si një paralajmërim për qeverinë britanike. Por ajo prodhoi efektin e kundërt. Opinioni publik u kthye menjëherë kundër lëvizjes.
Madje edhe segmentet e popullsisë britanike që kishin simpati ndaj kauzës irlandeze, nuk e përtypën dot vrasjen e një anëtari të moshuar dhe të paarmatosur të familjes mbretërore, së bashku me nipin e tij 14 vjeçar. Kryeministrja Margaret Theçer filloi t`a trajtojë IRA-n si një organizatë të dhunshme kriminale dhe jo si kundërshtare politike.
Naturam Godse
Kur territoret indiane të Perandorisë Britanike u ndanë në shtetet e Indisë dhe Pakistanitnë vitin 1947, kjo ngjarje nuk u cilësua si diçka e jashtëzakonshme. Por ndërsa Pakistani u kthye në një republikë islamike, India ndoqi një qasje më demokratike dhe laike.
Kur u vra nga Nathuram Godse në vitin 1948 – një vrasës radikal hindu që donte të krijonte një shtet hindu paralel me Pakistanin islamik – Gandi ishte tashmë një figurë e dashur në të gjithë botën. Vrasja e tij e ktheu menjëherë opinionin publik kundër ideologjisë së ekstremit të djathtë Hundi të mbështetur nga Godse. Ajo u pasua nga një goditje ndaj të gjitha organizatave militante hindu në të gjithë vendin, duke forcuar më tej karakterin laik dhe gjithëpërfshirës të republikës së sapo-formuar.
Xhejms Rej
Rej vrau në prillin e vitit 1968 aktivistin e të drejtave të njeriut Martin Luter King Xhunior.
Ndërsa motivet e tij, apo edhe burimi i financimit, mbeten të panjohura deri më sot, ato nuk janë të vështira të hamendësohen. Ai ishte një admirues i Hitlerit, dhe ishte i lidhur ngushtë me fushatën presidenciale të kandidatit Xhorxh Uollas, i njohur për pikëpamjet e tij raciste.
Vrasja e King, zemëroi komunitetin e zezakëve në mbarë SHBA-në, ndërsa shpërthyen trazirat në mbi 172 qytete, të cilat ishin ndër më të dhunshmet në historinë e SHBA-së. Ato ndryshuan demografinë e shumë prej atyre qyteteve, pasi shumë biznese që u shkatërruan gjatë dhunës nuk e morën veten kurrë, duke çuar në shkatërrimin e shumë qendrave urbane dikur të zhurmshme.
Jakov Jurovski
Në krye të një toge, Jurovski ekzekutoi në një bodrum gjithë familjen mbretërore ruse. Ai krim solli themelimin e njërës prej perandorive më të mëdha në histori – Bashkimin Sovjetik – si dhe frymëzoi një valë të madhe kryengritjesh kundër sundimit mbretëror dhe perandorak në të gjithë botën.
Gjithashtu ajo forcoi ideologjitë më reaksionare si fashizmi dhe nazizmi, sidomos në Evropë, konflikti midis tyre dhe komunizmit të stilit bolshevik, do të përfundonte duke sjellë një nga shkaqet e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.
Jigal Amir
Jitzhak Rabin ishte kryeministri i pestë i Izraelit. Megjithëse ishte një figurë përgjithësisht e pëlqyer në të gjithë vendin, disa nga idetë e tij nuk u pritën mirë nga segmentet ortodokse të shoqërisë. Marrëveshjet e Oslos të vitit 1995, që përfshinin heqjen dorë nga Bregu Perëndimor; ishin diçka e papranueshme për elementët më konservatorë.
Jigal Amir, ishte një student i devotshëm hebre me banim në Tel Aviv. Ai qëlloi 2 herë mbi Rabin pas njërit prej tubimeve të tij në mbështetje të marrëveshjeve. Vrasja e ktheu opinionin publik kundër traktatit të paqes, duke ndikuar direkt në zgjedhjen e Benjamin Netanjahut si kryeministër i ardhshëm.
Burimi i lajmit: https://www.toptenz.net/assassins-that-changed-the-world.php
Përshtatur nga TIRANA TODAY