Nga: Srđan Cvijić & Dimitar Bechev “European Western Balkans”
Në vitin 2006, Javier Solana, kreu i atëhershëm i diplomacisë së Bashkimit Evropian, deklaroi se misioni i Evropës ishte të bëhej “një fuqi globale, një forcë për të mirën e botës”. Vetëm 2 vjet para krizës ekonomike, unioni, duke e parë botën përmes syzeve të dizenjuara me trëndafila, u zotua ta` shndërronte lagjen e saj në një “rreth miqsh”.
Sot, ato lloj “syzesh” janë flakur tej. Me pandeminë e Covid-19 që vazhdon ende, krizën e afërt të emigracionit të drejtuar nga “Unaza e Zjarrit” përtej kufijve të BE-së, dhe ngritjen globale të autoritarizmit, shumica e evropianëve po e shohin me zemërim arenën ndërkombëtare.
Por pavarësisht këtij realiteti të zymtë, synimi i BE-së mbetet i njëjtë me atë që ishte 15 vjet më parë. Ashtu si paraardhësit e tij, Komisioni i sotëm i BE-së nën presidenten Von der Lejen aspiron që të jetë “gjeopolitik”, duke projektuar mbi botën interesat dhe vlerat e BE-së.
Megjithatë, sot dallimi kryesor është se më shumë se sa gjithçka tjetër, presidenca e Donald Trump i ka bërë evropianët që ta kuptojnë se mbështetja e pakushtëzuar tek Shtetet e Bashkuara i përket tashmë së shkuarës. Prandaj, BE synon të zërë vendin e saj si një lojtare globale.
Kthimi pas në histori, na ofron leksione se si mund t`a arrijë këtë qëllim Brukseli. Dy shekuj më parë, në një mesazh drejtuar Kongresit Amerikan më 2 dhjetor 1823, presidenti Xhejms Monro i bëri të ditur të gjithë botës se “tani e tutje kontinentet Amerikane nuk do të konsiderohen më si subjekte të kolonizimit të ardhshëm nga ndonjë fuqi evropiane”. “Doktrina Monroe” e shpalli Amerikën jashtë kufijve të Britanisë, Francës,apo të ndonjë fuqie tjetër të jashtme. Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Rusia është përpjekur të pohojë, me shumë sukses, ndikimin e saj mbi atë që e quan “lagjja e afërt”, për ta mbajtur larg Perëndimin.
Kina po ndjek një qasje të ngjashme në disa pjesë të Azisë. Në fakt, një vështrim i shpejtë përgjatë historisë, sugjeron se asnjë fuqi e madhe nuk ka arritur t`a çojë veten në skenën globale, pa vendosur më parë rregullat e saj mbi periferinë e saj.
Për vite me radhë, Bashkimi Evropian ka ndjekur një politikë të orientuar drejt këtij qëllimi: zgjerimi. Nga 6 anëtarë në vitet 1950, BE është zgjeruar sot me27 vende, një dëshmi kjo e fuqisë së madhe tërheqëse. Por ndryshe nga fuqitë e tjera të mëdha, strategjia e BE-së kombinon gjeopolitikën me aspiratat transformuese.
Synimi i ndryshimeve demokratike në Evropën Jugore dhe më pas në Lindjen e Evropës, u bashkua me objektivin strategjik të unifikimit të kontinentit. Elitat politike dhe shoqëritë në përgjithësi, e panë“evropianizimin”, pra bashkimin me BE-në, si një mënyrë e sigurt për të kaluar nga autoritarizmi, qoftë i krahut të djathtë apo komunist, në një demokraci liberale.
Por sot, zgjerimi është në një krizë të thellë. Ndërsa në të shkuarën negociatat e anëtarësimit zgjasnin2-8 vjet, bisedimet e pranimit me të ashtuquajturit vendet “pararendëse” në këtë proces Mali i Zi dhe Serbia, po vazhdojnë me një ritëm të ngadaltë dhe dekurajues.
Podgorica po negocion prej më shumë se 8 vjetësh, dhe Beogradi prej 6 vitesh. Vendet të tjera aspirante si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, po përpiqen që t`a nisin këtë proces, ndërsa Bosnje Hercegovina dhe Kosova, janë aktualisht të pa shpresa.
Qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në Ballkan që ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet e BE-së. Problem nuk është vetëm shpejtësia e zgjerimit të BE-së, por edhe përmbajtja e saj. Të ballafaquar me kthesën jo-liberale në Hungari dhe Poloni, vende model të zgjerimit të madh të vitit 2004, politikanët në vendet e BE-së po vënë në dyshim mençurinë e mirëpritjes në union të gjysmë-demokracive ballkanike.
Për udhëheqës si presidenti francez Emanuel Makron, konsolidimi i brendshëm i BE-së është më prioritar sesa zgjerimi. Ky qëndrim i drejtpërdrejtë, i nxit vendet e tjera anëtare t’a lënë pas dore zgjerimin. Bullgaria nuk u përball me një presion të mjaftueshëm nga Gjermania, për të hequr veton e saj më dhjetor 2020, mbi nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut.
Kjo është për shkak se BE-ja mendon se kishte një problem më të madh për të zgjidhur: buxhetin e ri dhe përplasjen me Varshavën dhe Budapestin, apo përgjigjet ndaj sfidave gjeopolitike që vijnë nga Turqia, Rusia apo Kina, si dhe arritjen e një marrëveshje mbi politikat e përbashkëta të emigracionit.
Problemi është se një politikë de fakto e mos-zgjerimit, është bërë një profeci vetë-përmbushëse. Sa më të shkëputur nga BE-ja, aq më pak të prirura janë elitat në Ballkanin Perëndimor për të marrë parasysh porositë e BE-së. Njëherazi, angazhimi i zbehur për reformat demokratike në vendet kandidate, e justifikon qëndrimin e padëshiruar të Brukselit.
Dhe rezultati është një situatë kontradiktore. Nga njëra anë, rajoni tashmë është thellësisht i integruar në tregun evropian dhe po përfiton nga hyrja e privilegjuar në BE për sa i përket tregtisë, por në një farë mase edhe lëvizjes së njerëzve. Nga ana tjetër, Ballkani Perëndimor është dëmtuar nga një kthim tek një autoritarizëm dhe nacionalizëm i shfrenuar.
Në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiç ka shpërbërë gradualisht të gjitha kontrollet dhe ekuilibrat që ishin vendosur në 12 vitet e para të demokracisë pas rrëzimit të Milosheviçit.
Dhe përmbysja e parimeve demokratike e shoqëruar me kapjen e shtetit, u hap derën rivalëve të BE-së, të tilla si Rusia, Turqia dhe Kina, për të ushtruar ndikimin e tyre mbi Ballkan. Në përgjithësi, udhëheqësit ballkanikë e favorizojnë praninë ruse, turke dhe kineze mbi BE-në,pasi kjo përkthehet në mundësi të reja.
Lidhjet me Moskën, Pekinin, apo Ankaranë, e rrisin gjithashtu ndikimin e pushtetit karshi BE-së, duke rritur vlerën gjeopolitike të vendeve të tyre në luftën midis Evropës dhe konkurrentëve të saj.
Një zgjidhje e ndjekur nga vendasit në Ballkanin Perëndimor, është të forcojnë integrimin rajonal si një mjet për të rritur ekonomitë, ndërsa përgatisin vendet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin përfundimtar në BE brenda 10-15 viteve të ardhshme, i ashtuquajturi“mini-Shengen” që deri tani përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Mini-Shengen mund të heqë disa pengesa jo-tarifore, por nuk do të përmirësojë sundimin e ligjit ose llogaridhënien demokratike, e cila është një kërkesë e domosdoshme për një rritje afatgjatë. Imperativi gjeopolitik për BE-në, është ta bëjë prioritet shpejtimin e zgjerimit.
Nëse Brukseli tregohet i paaftë për të ndihmuar në ri-përtëritjen demokratike të Hungarisë, nuk do të ketë asnjë shans në Ballkanin Perëndimor. Nëse fuqia e njohur transformuese e BE-së do të prodhojë rezultate pozitive, reformimi i vendimmarrjes në bisedimet e pranimit duhet të përputhet me një impuls bazë nga Ballkani Perëndimor.
Pavarësisht nëse e duan apo jo zyrtarët në Bruksel – Paris apo Berlin -“Evropa gjeopolitike” është testuar së pari në Ballkanin Perëndimor. Për të treguar se veprimet dhe angazhimet e saj bëjnë një ndryshim në planin ndërkombëtar, BE duhet së pari të sigurojë objektivat e saj dhe të pohojë rolin e saj në oborrin e vet – ose më saktë, në oborrin e saj, duke pasur parasysh vendndodhjen e Ballkanit Perëndimor përballë pjesës tjetër të unionit. Vetëm atëherë Evropa do të jetë në gjendje ta tërheqë atë në një lagje më të gjerë ose në të vërtetë në skenën globale.
Burimi i lajmit: https://europeanwesternbalkans.com/2021/01/22/geopolitical-europe-should-prove-its-mettle-in-the-balkans/
Përshtatur nga TIRANA TODAY