Nga: Dritan Hila
Tej emocioneve dhe reagimeve që solli fjalimi i Gretës në OKB, për mua më shumë u bë shkas që të hedh disa rreshta, sesi e shikoj çështjen e ambientit.
Nuk hyj tek ambientalistët e thekur, por nuk mendoj se tashmë që po i afrohemi si planet 8 miliardshit të humanoidëve, mund të livadhisim e shfrytëzojmë natyrën pa kriter.
Nuk ndaj këndvështrim katastrofik të ambientalistëve të sotëm, përndryshe siç thotë një nga shkencëtarët më të mëdhenj të ambientit Jarred Diamond, nuk do kisha bërë fëmijë. Dhe as unë nuk do kisha sjellë në jetë një vajzë. Por nuk mendoj se tashmë produktet tona, plehrat apo vazhdimësia e racës njerëzore mund t’i lihen rastësisë.
Dëshiroj të jep një shpjegim për ambientalistët dhe kauzen e tyre, aq sa mund të jepet në pak rreshta, pasi më shumë sesa çështje biologësh dhe inxhinierësh, ky është problem ekonomik.
Më pamje shkencore, ambientalizmi, siç shfaqet sot, është një derivat i populizmit që e kanë përqafuar liberalët dhe të majtët. Më shumë sesa mbështetur në shkencë duke marre disa të dhëna prej saj, spekulon me shkencën.
Gjithsesi futemi në temë.
Që të ruash standartin e jetesës së një popullsie të caktuar apo ta rrisësh këtë standart, duhet të shtosh prodhimin. Njëkohësisht duhet të përballosh plakjen e popullsisë por jo vetëm kaq. Me rritjen e moshës rriten në mënyrë eksponenciale shpenzimet për mjekësinë.
Statistikisht, që një shoqëri të ruaje standartin e jetesës, një çift duhet të ketë një raport lindjeje 2 me 2.1 në rang kombëtar. Pra në çdo 10 çifte që lindin dy fëmijë, njëri duhet të lindë tre.
Por në shoqeritë e zhvilluara as që bëhet fjalë. Jemi diku poshtë 1.8 fëmijë për çift.
Momentalisht është zgjidhur nëpërmjet emigracionit. Duan apo jo, në këtë stad të teknologjisë, perëndimi do vazhdojë të thithë emigrantë.
Aq më i nevojshëm bëhet numri i lartë i fëmijëve në vendet e prapambetura, ku fuqia e krahut është baza motorike e ekonomisë; apo në ato që synojnë zhvillimin por nuk kanë ende teknologjitë e nevojshme. Shembull është Turqia, ku hera herës udhëheqësi i saj bën thirrje për rritjen e lindjeve. Dhe nuk i do për ushtarë, por më shumë si krahë pune.
Vetë Kina e njohur për politikat e saj infanticide, ka rilejuar lindjen e pakontrolluar. Për mos folur për Indinë dhe Afrikën.
Rritja e popullsisë sjell rritjen e konsumit. Rritja e konsumit sjell rritjen e shfrytëzimit të lëndëve të para dhe shtimin e mbeturinave që duhet të përpunohen.
Mund të ishte rrugë për ruajtjen e mjedisit siç pretendon Greta, dhe sponsoret e saj reduktimi i CO2 në atmosferë, por siç thotë Fareed Zakharia, që vetëm si i djathtë nuk njihet, “përpiqu t’i shpjegosh një indiani apo kinezi se pse nuk duhet të prodhojë çelik, i cili kërkon karbon që ndot ambientin, që të kete edhe ai një makinë si çdo amerikan”.
Atëherë si dilet nga ky rreth vicioz, ku rritja e nivelit të jetesës kërkon rritjen e popullsisë dhe rritja e popullsisë kërkon rritjen e produkteve bujqësore, dhe shfrytëzimin intesiv të rezervave natyrore që fundja nuk janë pa limit. Dhe këto prodhojnë mbeturina që helmojnë ujin dhe tokën, mbeturina që sa vënë dhe shumohen. Personalisht, me zë frika sa shishe plastike dhe mbeturina ushqimore prodhon në ditë vetëm familja ime me tre veta!
Ka një zgjidhje. Është teknologjia. Ose më saktë robotizimi i saj. Vetëm robotizimi i industrisë, shërbimeve dhe jetës së përditeshme, do të sjellë që shoqëria mos të ketë nevojë për shumim të popullsisë. Robotët në fabrika; robotët në pastrimin e qyteteve; robotët në spitale; robotët kudo ku kërkohet fuqi e pakualifikuar, mund të sjellë frenimin e rritjes së popullsisë dhe njëkohësisht rritjen e mirëqënies.
Ndaj rritja e standardit dhe eksportimi i teknologjive moderne në vendet e botës së trete, do të sjellë uljen e lindshmërisë edhe aty, duke sjellë që planetit t’i ulet presioni nga humanët. Kur mendon që në vitin 1900 ishim 1.5 miliardë dhe për pak vite do shkojmë 8 miliardë, të zë frika. Kjo e bën urgjente investimin në teknologji.
Ndaj ambientalistët në vend se të protestonin per nje kauzë qorre si ndotja globale, do bënin mirë të kërkonin me këmbëngulje rritjen drastike të buxheteve për arsimin dhe kërkimin shkencor.
Dhe gjithashtu, por kjo sa për kuriozitet, të kërkonin uljen e numrit të lopëve dhe gjedhëve të trasha, të cilat jo vetëm zënë sipërfaqet më të mëdha të tokave bujqësore me ushqimin e tyre, por janë edhe kontribueset më të mëdha në planet për zmadhimin e vrimës së Ozonit. Sepse gazrat e tyre, prodhojnë më shumë metan sesa gjithë fabrikat e botës. Ndaj fjalimi i Gretës do kishte sens nëse kërkonte të paktën uljen e numrit të lopëve dhe njerëzve që konsumojnë byfteket. Nëse nuk ka kërkuar këtë, i kam kursyer vetes kohë që nuk e dëgjova./dritare.net