Nga: Skënder Minxhozi
Trupi gjykues që ndante fatin personal të Saimir Tahirit ka harxhuar shumë kohë në dhomën e këshillimit të enjten pasdite. Raportimet e gazetarëve të terrenit thonin se tre gjyqtarët kishin nisur madje të debatonin ashpër në lidhje me tre akuzat e rënda me të cilat prokuroria kërkonte të mbyllte pas hekurave ish-ministrin për 12 vjet.
Në fund të rreth tetë orë debatesh, vendimi i trupit gjykues duket se la gojëhapur të akuzuar dhe akuzues bashkë: shpërdorim detyre e jo grup i strukturuar kriminal apo trafik droge. Zyrtar që ka zbatuar keq detyrën, e jo kriminel që ndante paratë me trafikantët. Ky është thelbi i një akuze, e cila paradoksalisht, për sa kohë që s’kemi parë provat konkrete, e futi panelin e gjyqtarëve në zonën e rrezikshme të akuzave politike ndaj të gjithë maxhorancës, e jo vetëm ndaj personit të Saimiri Tahirit. Dhe ja pse.
Së pari, vendimi ndaj Tahirit nxori si të pavlerë hetimin disavjeçar të organit të akuzës. Kush kujton insistimin e prokurorisë për ta arrestuar Saimir Tahirin, ka tani mundësinë ta vendosë në kontekst të drejtë atë kërkesë që asokohe acaroi gjakrat dhe gjuhën e të gjithë politikës shqiptare. Me devijimin e minutës së fundit nga akuzat e prokurorëve, gjyqtarët kanë ndërtuar një teoremë krejt të re të pozitës dhe përgjegjësive të vetë ish-ministrit të brendshëm, por kanë përfshirë potencialisht, në akuzën e rëndë që kanë formuluar, shumë më tepër persona me pushtet dhe institucione e instanca, sesa vetë Saimir Tahiri.
Së dyti, ky spostim i beftë i akuzave ndaj Tahirit, ka hedhur në opinionin publik shqiptar të parën akuzë zyrtare të formuluar nga sistemi i drejtësisë, për atë që njihet si “kanabizimi i vendit”. Një akuzë e cila nuk flet më për skafe të prishur e makina të dhëna e marra borxh mes Tahirit dhe trafikantëve, por për një fenomen kombëtar të disa viteve më parë. Eshtë dënimi i parë i një politikani për fenomenin, për të cilin s’i ka hyrë deri më sot gjemb në këmbë as atij që dilte në televizion e deklaronte me qetësi të plotë “Lazaratin e lejova unë, ishte vendimi im politik”! Ky pozicionim i ri e fut me të dyja këmbët drejtësinë shqiptare, në debatin e hershëm politik për fenomenin kanabis, që siç e dimë ka qenë në fokusin e posaçëm të politikës shqiptare në 30 vitet e fundit.
Së treti, vendimi për të ndërtuar një vendim gjyqësor mbi bazën e akuzës për shpërdorimin e detyrës në lidhje me përhapjen e kanabisit në të gjithë Shqipërinë, sjell në mënyrë të pashmangshme përfshirjen në listën e të akuzuarve, të një mase potencialisht të frikshme zyrtarësh, përfaqësuesish politikë e shtetërorë.
Sepse Saimiri Tahiri nuk mund ta ketë kanabizuar i vetëm një shtet, sado të vogël si Shqipëria. Akuza që i dha atij gjykata, përfshin drejtpërdrejt ose indirekt, një masë të madhe të institucioneve e agjencive të qeverisë qendrore, asaj lokale, policisë, shërbimeve inteligjente etj. Në këtë aspekt, dënimi ndaj Tahirit, ndonëse pa etiketën e sikletshme të grupit të strukturuar kriminal apo të trafikut të drogës, është shumë i rëndë, pasi është më i shtrirë në hapësirë dhe në kohë. Nga lidhjet e vogla me ca kushërinj trafikantë, Tahiri akuzohet tani se ka prodhuar me anë të keqpërdorimit të detyrës, kanabizimin e gjithë shtetit.
E nga përmasa e akuzës rrjedh edhe bara e provës që ka sot gjykata. Sepse të prodhosh brenda disa orëve diskutimi në dhomën e këshillimit një akuzë kaq globale dhe të rëndë, ndërkohë që hetimi i prokurorisë nuk e përfshinte këtë aspekt në materialin disavjeçar të paraqitur në proce, do të thotë të marrësh mbi vete barrën e të provuarit të kësaj akuze. Gjykata ka luajtur një lojë të rëndë, atë të hedhjes poshtë të episodit dhe të ngritjes lart të fenomenit. Eshtë një ndryshim cilësor i gjykimit, për të cilin gjyqtarët duhet të kenë prova, madje të hekurta. Ndryshe bëjnë rolin e atij që ndodhet në hall e flet sa për të folur.
Çfarë provash ka trupi gjykues për nxitjen, bashkëpunimin, koordinimin dhe zbatimin e strategjisë së kanabizimit në shkallë kombëtare nga ana e ministrit? A ka objektivisht ai mundësi ta ketë bërë këtë i vetëm këtë gjë, ndërkohë që flitet për një fenomen që shtrihet nga malet e thella të Jugut e deri në pjesët më të harruara të Malësisë së Madhe?
Nëse këto pyetje dhe të tjera si këto nuk do të zbërthehen nga trupi gjykues në vendimin e plotë që do të bëjnë publik, atëherë vendimi për dënimin e Tahirit me akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me kanabizimin e Shqipërisë, është një flluskë sapuni që do të bjerë në apel. Dhe të provosh konkretisht dhe me fakte se një ish-ministër paska koordinuar një “plan kombëtar” kanabizimi, nuk është një punë e lehtë. Kur e ngre stekën lart, duhet të kesh provat, ose bën thjesht show për t’i ikur sikletit të një dosjeje të dobët prokurorie që të kanë vënë përpara.