Erion Veliaj betohet si kryetar i Bashkisë së Tiranës, për të qeverisur në mandatin e dytë. Në ceremoninë e konstituimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, dhe betimit të Veliajt, ka marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Kryetar i Këshillit Bashkiak u zgjodh Toni Gogu.
“Kam rënë në dashuri me Bashkinë, nostalgjia e një vendi që ke kaluar me përkushtim ditë të tëra. Sot jam dyfish i nderuar për besimin që mu dha nga PS dhe nga qytetarët e Tiranës, dhe e kuptoj edhe Edi Ramën kur ma ka dhënë detyrën, se sa të vështirë e ka pasur”, tha Veliaj.
“Nuk mjafton vetëm të krijojmë një histori të Tiranës, duhet ta komunikojmë këtë histori të Tiranës, reformave dhe punës në administrimin e Tiranës”, shtoi ai.
Veliaj tha se u është mirënjohes skuadrës së Bashkisë së Tiranës, nga bashkëpunëtorët e ngushtë si nënkryetarët, deri tek punonjësi më i fundit.
“Unë besoj që arritja më e madhe është njerëzillëku, fakti që këtij qyteti i shërbejmë në një mënyrë që rrogat në shtet nuk janë të atij niveli që i shohim në privat, por Bashkia shihet si mision ndaj qytetarit. Kjo më bën të ndihem i përkulur dhe shumë krenar për stafin e Bashkisë së Tiranës”, theksoi kryebashkiaku Erion Veliaj.