Maskat dhe arma e krimit do të hedhin dritë mbi ekzekutorët e ish-oficerit të policisë, Arben Bilali. Grupi hetimor tashmë ka provat në dorë, për të gjetur autorët e krimit. Po kështu, pamjet filmike kanë ndihmuar deri tani në rindërtimin e ngjarjes.
Personat që ekzekutuan Arben Bilalin nga makina e zezë me targa të huaja, kanë qenë të maskuar. Dy maskat e tyre dhe armët e krimit, dy automatikë të modifikuar ishin lënë në makinën që policia gjeti të braktisur në një kodër në Mjull Bathore. Në mjet janë gjetur shenja gishtash, që policia beson se janë të atentatorëve.
Makina me targa të huaja false rezulton të jetë vjedhur në Kosovë. Mësohet se tashmë të gjitha provat janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të nevojshme dhe hetuesit po presin përgjigjen e të dhënave, përmes të cilave besohet se do të mund të zbardhet kjo ngjarje kriminale.