Pas thirrjes së BE-së dhe SHBA-ve për të hequr taksën 100% për mallrat serbe, vjen një tjetër lëvizje e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ky i fundit u ka dërguar një letër kryeministrave të botës, ku u shpjegon natyrën e dialogut Kosovë-Serbi. Në këtë letër, kryeministri Haradinaj sqaron se dialogu është mes shteteve sovrane dhe për subjekt ka normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, me njohje reciproke.
“Është e rëndësishme të kuptohet se Kosova do i hyjë këtij procesi si një shtet i pavarur sovran. Negociatat do të merren me marrëdhënien mes dy shteteve: parimet e njohjes së përbashkët dhe reciprociteti i detyrimeve nuk do të jenë të hapura për diskutime”, përfundon Haradinaj.
Statusi i plotë:
Mëngjesin e sotëm, u kam dërguar letër shpjeguese të gjithë kryeministrave të botës, me anë të së cilës u kam shpjeguar natyrën e dialogut Kosovë-Serbi.
Dialogu Kosovë-Serbi është dialog mes dy shteteve sovrane dhe për subjekt nuk e ka statusin final të Kosovës, por normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, me njohje reciproke.
Me atë të këtij sqarimi dhe qëndrimi, synojmë t’i japim fund propagandës serbe se statusi dhe territori i Kosovës është ende në tavolinë.
Kosova e ka përmbyllur shtetësinë e saj më 17 shkurt 2008.