Presidenti i Republikës, Ilir Meta kërkoi më shumë përgjegjshmëri nga institucionet e shtetit për kujdesin ndaj moshës së tretë.
Gjatë një takimi me pensionistë, Kreu i Shtetit u shpreh i ndërgjegjshëm për problemet që po has kjo kategori.
Emigracioni, ashtu sikurse ka pasur aspektet e veta pozitive në fillim, tashmë është kthyer në një problem shumë të madh. Tani jemi të ndërgjegjshëm edhe për problemet e mëdha të vetmisë, me të cilat ndeshen shumë familjarë e prindër. Kemi edhe problemet e tjera që kanë të bëjnë me përballimin e pensioneve, të skemës së pensioneve dhe rritjen e tyre në të ardhmen, që janë probleme objektive ndaj të cilave duhet të tregojmë më shumë vëmendje.
Kreu i Shtetit tha se duhet të mësojmë nga përvoja e pensionistëve për të edukuar brezin e ri.
Ne të gjithë duhet të tregojmë më shumë mundësi, jo vetëm për të përfituar nga përvojat dhe aftësitë tuaja në të kaluarën, por edhe t’i investojmë këto përvoja për ta edukuar më mirë brezin e ri, me ndjenjën e punës, të ndershmërisë, të korrektësisë, të bërjes së punës me dinjitet dhe përgjegjshmëri, e jo të gjetjes së rrugëve të lehta në jetë, të cilat sjellin pastaj një kosto shumë të madhe për të rinjtë vetë, për familjet e tyre, por edhe për të gjithë shoqërinë.
Presidenti Meta uroi të gjithëve të pranishmit në këtë atmosferë festash për sa më shumë shëndet, jetë të gjatë dhe solidaritet me njëri-tjetrin.