Një vajzë e vogël gjashtëmuajshe u gjet e gjallë duke lundruar në pellgun në veriperëndim të Misurit, SHBA, pasi babai i saj kishte shkuar në polici dhe pohonte se kishte mbytur foshnjën e tij.
Babai i vajzës, Jonathon Zicarelli, 28 vjeç, kishte hyrë në stacionin e Policisë Greenwood të hënën në mëngjes duke u thënë policëve se kishte mbytur vajzën e tij në pellgun e Misurit.
Zicarelli u tha hetuesve se ideja për të vrarë vajzën e tij i kishte shkrepur 24 orët e fundit pasi ishte i stresuar nga Krishtlindjet dhe donte t’i bënte gjërat më të thjeshta për gruan e tij, raporton The Kansas City Star.
Menjëherë policia dërgoi dy oficerë në vendin ku ishte hedhur vajza dhe e gjetën atë duke lundruar me fytyrë në ujë të ftohtë, teksa dukej si një kukull prej porcelani.
“Foshnjën e hoqëm nga pellgu dhe ishte mrekulli i zotit që ishte akoma gjallë megjithëse në gjendje shoku”, deklaroi efektivi Caljoun. Polici vijoi t’i jepte frymëmarrje sepse kuptoi se foshnja ishte akoma gjallë.
Oficerët ia hoqën veshjet e lagura dhe e mbështollën me këmishën e tyre të uniformës që ajo të ngrohej përsëri.
Policia vlerësoi se vajza kishte qenë nën ujë për rreth më shumë se 7 minuta dhe se kishte bar në gojë, baltë në sy dhe ujë në mushkëri.
Foshnja u dërgua në spital dhe u trajtua për hipotermi të rëndë, por fatmirësisht thuhet se tani është në gjendje të mirë.
Zyrtarët shprehen se është një mrekulli që vajza është ende gjallë.
Zicarelli është akuzuar për sulme të brendshme dhe vrasje me vetëdije të mbetur në tentativë dhe prokurorët kanë kërkuar që lirimi i tij me kusht të vlerësohet 500.000 dollarë.
Policia e Greenwood tha se babai i vajzës nuk kishte asnjë shprehi emocioni as kur rrëfeu se kishte mbytur të bijën e as kur mori vesh se ajo kishte shpëtuar.