Disa orë pas ngjarjes së rëndë, ku mbeti aksidentalisht i vrarë një 37-vjeçar, autoritetet policore në Elbasan kanë vënë në pranga autorin e dyshuar të këtij krimi. Ai është Preni Zavalina, një 27-vjeçar banues në Shals të Elbasanit.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të së martës, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Shelçan dhe Ardi Boduri është vrarë me armë gjahu. Viktima sëbashku me autorin dhe tre persona të tjerë kishin lidhje fisnore dhe krushqie me njëri-tjetrin.
Por si ndodhi ngjarja?
Sipas policisë, 5 miqtë kanë udhëtuar me Fuoristradë në pyjet e Shelçanit, për gjueti. Në momentin që ka gjuajtur gjahun, policia thotë se 27-vjeçari ka qenë në errësirë dhe nën efektin e alkoolit, e për pasojë ka qëlluar viktimën nga mbrapa në kokë.
Ardi Boduri ishte specialist i Pyjeve në Agjencinë Rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe makina me të cilën udhëtonin është në pronësi të kësaj agjencie. Viktima ka patur dhe autorizim për vrasjen dhe marrjen e mostrave nga dhelpra e kuqe, për shkak të sëmundjes së tërbimit, projekt i autorizuar nga Ministria e Bujqësisë.
Grupi hetimor ka sekuestruar dy armë gjahu dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.