Ashtu siç premtoi në memorialin e të atit, Rudina Hajdari tha se është gati në lënien e mandatit të saj. Në një analizë të gjatë publikuar në Facebook, deputetja dhe e bija e Azem Hajdarit ka kritikuar rrjedhën që mori aktiviteti, ndërsa tha se fjala e saj ishte e paplanifikuar.
“E vërteta është që nuk kisha përgatitur ndonjë fjalim, sepse nuk e dija saktësisht as çfarë do ndodhte atë ditë, por e zhgënjyer nga rrjedha që po merrte aktiviteti mora situatën në dorë duke kërkuar me këmbëngulje që të flisja dhe ashtu u bë”, shkruan Hajdari.
Deputetja ka ashpërsuar tonet me liderin e PD-së, teksa thotë se kjo forcë politike nuk kuptohet nga populli dhe se nuk sheh të ardhme brenda saj. Sipas deputetes së PD, një parti politike s’mund të shkojë kurrë në fitore me fotografi apo me thirrje nacionaliste.Ndërsa shton se e ardhmja është në duart e studentëve dhe koha është e tyre.
Ajo ka thënë se këto ditë do konsultohet me personat që e kanë votuar dhe më pas do të japë dorëheqjen nga mandati i saj.
“E kam vështirë të shikoj një të ardhme brenda një partie që po duket sikur po nuk po kuptohet nga populli gjithsesi. Një parti nuk shkon dot kurrë në fitore, as me foto me figura të larta politike, dhe as me thirrje nacionaliste. Flas këtu për dështimin e të gjitha partive, sepse këto janë rrugët që po ndjekin për të shpëtuar veten. Partia e Lëvizjes Socialiste për Integrim e bëri punën e saj dhe i shërbeu Ilir Metës deri në ngritjen dhe ringritjen e tij. Tani kjo organizatë është pa udhëheqje, por me përfaqësim. Ndërkohë, Partia Socialiste është në prag të vetëvrasjes politike. BE-ja është e lodhur me të dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk i beson më askujt. Pra, jemi në një udhëkryq të madh.
Megjithatë, para se të heq dorë nga mandati im, kam detyrim ndaj atyre që më qëndruan pranë gjatë kësaj kohe, ndaj atyre që më votuan. Do të takohem me ta, dhe do ta diskutoj me ta vendimin tim, sepse ndjej detyrim madhor ndaj tyre. Pra, ky është vendimi im, dhe janë studentët e sotëm që më frymëzuan të ndërmarr këtë hap. Prandaj them që nuk ka kthim mbrapa”, shkruan Hajdari.
Postimi i plotë:
Pa Kthim Mbrapa
Për t’i bërë jehonë fjalëve të Ishkryeministres britanike, Margaret Thatcher, mbi politikanët që heqin dorë nga deklaratat e tyre “A lady is not for turning” dua të t’ju them se, ata që presin që unë të heq dorë nga deklarata ime do të zhgënjehen. Ndërsa ata që më kanë votuar e kanë në dorë të përcaktojnë të ardhmen time politike.
Por para se kjo të ndodhë më lejoni të ndaj me Ju disa gjëra. Ndërsa shihja ish-komunistët e “disidentë” të epokës së Hoxhës, që mblidheshin pranë sheshit të studentëve, në vendin e shenjtë ku u mposht sistemi komunist totalitar në Dhjetor 1990, më erdhën në mendje fjalët e historianit britanik John E. E. Dalberg-Acton të Shekullit të 19-të. “Pushteti ka prirje të korruptojë”, si dhe “Pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”.
Partia Demokratike, e cila themelua në atë kohë u krijua për të sjellë ndryshime shoqërore të sinqerta. Njëzet e tetë vjet më vonë, çdo parti e sotme është shumë pak më e mirë se ai regjim që u rrëzua.
Më datë 8 dhjetor nuk ishte e planifikuar që unë të merrja fjalën për të folur gjatë aktivitetit në Qyteti Studenti. Kërkova që të më lejohet të thoja dhe unë diçka. Fjala “Azem” u përdor mbi dhjetra herë, ndërsa unë, nuk isha aty për dekor, bashkë me vëllezërit e mi. E vërteta është që nuk kisha përgatitur ndonjë fjalim, sepse nuk e dija saktësisht as çfarë do ndodhte atë ditë, por e zhgjënjyer nga rrjedha që po merrte aktiviteti mora situatën në dorë duke kërkuar me këmbëngulje që të flisja dhe ashtu u bë.
Ndërkohë më pas, lexoj mediat që shkruanin se më paska dirigjuar Sali Berisha të flisja për tërhequr vëmendjen e studentëve. Ndokush mund ta merrte dhe si kompliment, por këtu ndahen njerëzit, nuk është ne karakteritin tim të më udhëzohen fjalët nga ndokush, qoftë ai Sali Berisha apo Lulzim Basha, dhe brënda partisë e dinë fare mirë këtë gjë.
Me përgjegjësi të plotë, mendova se dikush duhet të thotë diçka, me shpresën se gjesti ishte i duhuri dhe ashtu ndodhi.
Ndërsa flisja nga podiumi, në vetvete ndihesha e zemëruar se pse isha aty, dhe jo me studentët. Mendoja me vete, që personat që po i japin një nxitje për ta rrokullisur më në fund përbindëshin e korrupsionit në vendit tonë, janë larg këtij podium, dhe formoja fjalët që më dilnin nga brëndësia ime ashtu sikurse e mendoj edhe sot. Me shpirt isha me Ju, por fizikisht diku tjetër. Im atë do të kishte qenë po ashtu me Ju.
Por ama sot Shqipëria më shumë se çdo gjë tjetër, ka nevojë për një lëvizje jo partiake, dhe unë e respektoj qëndrimin tuaj apolitik, dhe e mbështes plotësisht këtë frymë. Duke shmangur përkatësinë politike them me bindje se, Ju do jeni në gjendje të ndërtoni një shoqëri civile të vërtetë pas kësaj lëvizje. Prandaj sa jeni në kohë merreni këtë kauzë seriozisht. Ata që ishin “fituesit” e viteve 1990 nuk mund të jenë më fituesit e viteve të ardhshme, pasi Koha është në krahun tuaj dhe epokat ndahen këtu.
Më duket me vend të përmend frazën e jashtëzakonshme të John Milton, mbi dëbimin e Satanait nga parajsa “Më mire do të preferoja të shërbeja në parajsë sesa të mbretëroj në ferr”, sepse drejtimi i një vendi që i ngjan ferrit nuk i duhet askujt.
Dua gjithashtu t’ju sqaroj se, heshtja ime këtë fundjavë erdhi si pasojë e takimeve të ndryshme, angazhimeve dhe deklaratave të shumta mbështetëse nga anëtarët e partive të ndryshme dhe njërëzve jashtë politikës, të cilët më kanë kontaktuar, në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose jo, më kanë pyetur nëse kam ndërmend të ndahem nga Partia Demokratike për të formuar bllokun tim parlamentar. Por unë i qëndroj edhe një herë fjalëve të mia se, po e konsideroj me seriozitet dorëzimin e mandatit tim.
E kam vështirë të shikoj një të ardhme brënda një partie që po duket sikur po nuk po kuptohet nga populli gjithsesi. Një parti nuk shkon dot kurrë në fitore, as me foto me figura të larta politike, dhe as me thirrje nacionaliste. Flas këtu për dështimin e të gjitha partive, sepse këto janë rrugët që po ndjekin për të shpëtuar veten. Partia e Lëvijes Socialiste për Integrim e bëri punën e saj dhe i shërbeu Ilir Metës dëri në ngritjen dhe ringritjen e tij. Tani kjo organizatë është pa udhëheqje, por me përfaqësim. Ndërkohë, Partia Socialiste është në prag të vetëvrasjes politike. BE-ja është e lodhur me të dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk i beson më askujt. Pra, jemi në një udhëkryq të madh.
Megjithatë, para se të heq dorë nga mandati im, kam detyrim ndaj atyre që më qëndruan pranë gjatë kësaj kohe, ndaj atyre që më votuan. Do të takohem me ta, dhe do ta diskutoj me ta vendimin tim, sepse ndjej detyrim madhor ndaj tyre. Pra, ky është vendimi im, dhe janë studentët e sotëm që më frymëzuan të ndërmarr këtë hap. Prandaj them që nuk ka kthim mbrapa.
Rudina Hajdari
10 Dhjetor 2018