Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump vijon të guxojë me deklaratat e tij të forta. Këtë herë, ai ka sulmuar ish-komandantin e Navy Seal (Forcat Speciale Operacionale të Amerikës), Bill McRaven, për të cilin tha se duhet ta kishte vrarë Osama bin Laden më herët.
Këtë deklaratë, Trump e bëri gjatë një interviste të dielën, për “Fox News Sunday”. Presidenti i SHBA-ve akuzoi McRaven se mund ta kishte kryer operacionin ndaj Bin Laden shumë më herët, pasi i kishte të gjitha informacionet se ku ndodhej ai, por e kishte shtyrë për motive elektorale, duke e cilësuar atë si një mbështetës të Clinton.
“S’do të kishte qenë më mirë sikur ta kishim kapur Osama bin Laden shumë më herët? Ju e dini, ai po jetonte në një rezidencë të bukur në Pakistan, shumë pranë akademisë ushtarake, çdokush në Pakistan e dinte se Bin Laden ishte atje”, tha presidenti.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi ndaj tij, teksa i akuzuari McRaven, tashmë i dalë në pension, tha se Trump ishte ‘kërcënimi më i madh që i bëhej demokracisë’.
Në përgjigje të akuzave të presidentit, McRaven tha për CNN: “Unë nuk kam mbështetur as Hillary Clinton dhe askënd tjetër. Unë jam një mbështetës i Obamës dhe George W.Bush, për të cilët kam punuar. I admiroj të gjithë presidentët, pavarësisht nga partia e tyre politike, të cilët mbështesin dinjitetin e zyrës dhe që përdorin atë zyrë për të sjellë bashkim të kombit në kohë sfiduese. I qëndroj mendimit se sulmi i presidentit ndaj mediave është kërcënimi më i madh për demokracinë, në të gjithë jetën time. Kur e minon të drejtën e njerëzve për lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës, atëherë ju kërcënoni Kushtetutën dhe gjithçka për të cilën ajo qëndron.”
Vërejtjet e Trump sollën reagimin e një tjetër gjenerali në pension, Mark Hertling, i cili shërbeu me McRaven në Evropë dhe Irak.
“Do të përdorja vetëm një fjalë, kjo është e neveritshme. E njoh McRaven si komandantin e forcave speciale operacionale në Irak dhe ka pasur shumë misione ku ky djalë e vuri veten e tij në rrezik, duke udhëhequr situata sfiduese që as mund t’i merrni me mend”, tha Hertling për CNN kur u pyet për mendimin e tij lidhur me akuzat e Trump ndaj McRaven.
Në gusht të këtij viti, McRaven kritikoi Trump, për të cilin tha se na ka sikletosur në sy të fëmijëve tanë dhe se akoma më keq, na ka ndarë si komb./ Përshtati TIRANA TODAY