Humbja e Shqipërisë me Skocinë ishte katastrofike. Si në imazh, si në objektiva, si në hapat galopant që janë bërë pas. Lumi i kritikave plot babëzi iu adresuan trajnerit Panuçi dhe kryesisht me të drejtë. Por, pikëpyetja e projektit “Panuçi” u ngrit me të drejtë që ditën që ai u përzgjodh.
Si ishte e mundur që pasi Shqipëria shkoi në Europian dhe ngriti një ekip të denjë me De Biazin, iu besua një trajneri që s’kishte aspak eksperiencë?! Si është e mundur që të rrezikohet me dashje një ekip Kombëtar vetëm sepse presidentit Duka i kishte pëlqyer karakteri i Panuçit (kështu deklaroi kur e përzgjodhi). Paradoksi lidhet në fakt edhe me vetë institucionin që e përzgjodhi, i cili ka pikëpyetje të mëdha për karakterin e vet së pari.
Çfarë cilësie karakteriale i pëlqeu presidentit Duka te Panuçi që mbizotëroi para faktit që ai nuk ishte ende gati për një ekip moshash dhe jo Kombëtaren e një vendi?!
Dhe pikërisht humbja katastrofike me Skocinë nis te ajo ditë që Duka zgjodhi këtë trajner. Por, kjo Kombëtare nuk është sabotuar vetëm nga përzgjedhja me dashje e një trajneri pa eksperiencë.
Gjatë rrugës u sabotua edhe nga njerëz të afërt të presidentit, që nisën një fushatë të gjerë përbaltje ndaj Panuçit, të cilin në ditët e prezantimit e shikonin si “gjeni të pazbuluar”. Cila ishte arsyeja që ata e sulmuan dhe që trajneri i denoncoi publikisht se ndaj tij kishte një sulm të organizuar dhe se Duka i dinte autorët?! Pse nuk pati Panuçi karakterin (që Duka i pëlqeu), për t’i denoncuar ata me emra?!
Por, sabotimi i një ekipi Kombëtar vazhdoi edhe me tifozët. Ata që e kishin të vështirë që të mbështesnin një skuadër të çorientuar, pa stabilitet, me emra të “zbuluar” nga hiçi dhe pa pikën e motivimit. Një Kombëtare që dita ditës po humbet edhe tifozët. Aq sa, në mënyrë tragjikomike, ka pasur shitje të fanellave me detyrim.
Vetëm disa ditë më parë, arbitra nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, më denoncuan me foto se si u kishin dhënë urdhër që të blinin fanellat e Kombëtares dhe se lekët se u mbaheshin nga rroga.
Saktësisht:
Arbitrat e Kategorisë Superiore do u mbahen lekët nga rroga për 4 uniforma të Kombëtares.
Arbitrat e Kategorisë së Parë, 3 uniforma.
Arbitrat e Kategorisë së Dytë, 2 uniforma.
Arbitrat e Kategorisë së Tretë, 1 uniformë.
Ja pra, kështu u katandis Kombëtarja e Shqipërisë. Me një president që zgjedh trajnerin se i pëlqen karakteri i treguar në kafene, me lobingje që kërkojnë përçarjen e skuadrës për shkak se nuk shkojnë me trajnerin dhe me fanella, që për t’i bërë qejfin kompanisë apo statistikave, u shiten me detyrim kujtdo që paguhet nga FSHF, përfshirë dhe ata që konsiderohen të pavarur, ARBITRAT. Nga Fation Shehu