Presidenti, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në fshatin Mexhitli të Manastirit, një nga fshatrat me shumicë shqiptare në Maqedoni. Kjo është vizita e Metës në Mexhitli, e para e një Presidenti shqiptar.
“Një takim mjaft i përzemërt me shqiptarët e Mexhitlije (Manastir), fshatit më skajor në kufi me Greqinë. Ndamë së bashku bindjen se kohë më të mira po vijnë edhe për ta, me perspektivat e reja të anëtarësimit në NATO të Maqedonisë dhe çeljes së negociatave me BE vitin e ardhshëm. Mirënjohje të gjithë atyre që qëndruan në kohë të vështira si shqiptarë dhe ruajtën me krenari gjuhën kombëtare, Alfabeti i së cilës u themelua në Manastir për t’i bashkuar shqiptarët kudo.??”, shkruan Meta në “Facebook”.
Kreu i shtetit u prit nga autoritetet vendore dhe nga dhjetëra banorë. Meta gjatë fjalës së tij tha se Shteti shqiptar do të qëndrojë gjithmonë pranë tyre.
“Ju dhe të gjithë shqiptarët në Maqedoni kurrë nuk do të jeni vetëm, ju jeni krenaria shqiptare e zonës së Manastirit, Ju falenderoj që mbani gjallë e trashëgoni vlerat dhe traditat më të mira të shqiptarëve. Kruja, Vlora, Prizreni e Manastiri janë qytetet më të rëndësishme për ne shqiptarët”.
Ndërsa banorët falënderuar presidentin Meta. “Falënderojmë Presidentin Meta për vëmendjen e kujdesin që tregon ndaj shqiptarëve në Maqedoni”, thanë ata.