Njoftimi i parë mbi largimin e Sazanit nga kampi (emri shkruhet gabim), si dhe pjesë e vendimit të gjykatës ushtarake që e dënoi atë.
Nga Kastriot Dervishi
Hysni Dema ish komandant i përgjithshëm i xhandarmërisë shqiptare, si kundërshtar i regjimit komunist u largua nga Shqipëria. Për këtë arsye, në shtator 1945, familja e tij, gruaja Vasfije dhe fëmijët: Aliu, Vera, Tefta, Sazani dhe Rudina u internuan në kampin e Beratit, për t’u zhvendosur 4 vjet më vonë më vonë në kampin e Tepelenës.
Njëri prej fëmijëve, Sazan Dema, lindur më 27.12.1935, në moshë të re, u dënua me burgim për largim nga kampi i internimit dhe u akuzua për tentativë arratisje, pavarësisht se u ndalua në Tiranë.
Në kohën e largimit, në mars 1951, kampi i Tepelenës, që ende nuk kish marrë numrin nr.4, gjendeshin 1853 të internuar (393 burra, 388 gra dhe 200 fëmijë). Më 1.3.1951 Sazani u largua nga kampi duke ecur herë në këmbë e herë me makina rasti për në Tiranë.
Pikërisht në kryeqytet, ai arrestohet” më 8.3.1951 dhe akuzohet për arratisje. Në Tiranë ka shkruar te shtëpia e motrës e cila ishte martuar me një italian që punonte mekanik në fermën “Ylli i Kuq” të Kamzës.
Prokurori ushtarak i tha gjykatës se kishin përballë një “këlysh të kriminelit Hysni Dema”, që sipas tij edhe në gjyq, paraqitej “armik e dinak i pushtetit popullor”.
Për këtë ai kërkonte që i riu të dënohej me 5 vjet burg të cilën duhej ta vuante nëpërmjet punës së detyruar.
Prokurori në aktakuzën e tij hidhte dyshimin se largimi nga vendi i internimit ishte bërë për dy arsye: për të vendosur lidhje “agjenturore” me burrin e motrës që ishte italian dhe së dyti për të shkruar në Greqi te babai i vet i arratisur (arratisje në Greqi nga Tirana d.m.th!).
Çështja u trajtua si me rëndësi dhe u shqyrtua nga Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e përbërë prej kapiten II Arqile Toska, toger Guri Qafëzezi dhe nëntoger Kristaq Dhimitri, duke pasur pranë prokurorin nëntoger Fehmi Galanxhi.
Me vendimin nr.62, datë 17.5.1951, gjykata e deklaroi fajtor adoleshentin dhe e dënoi në bazë të nenit 4 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946, me 4 vjet burg dhe heqjen për 2 vjet të të drejtës zgjedhore (të cilën nga mosha e re nuk e kishte).
Gjykata arsyetonte se 15 vjeçari nuk kishte mbajtur qëndrim të mirë gjatë qëndrimit në kampe.
Dokumentet thonë se Sazan Dema vuajti 3 vjet e 10 muaj burgim, dënim që e ndërpreu më 8.1.1954. Megjithatë, ai diti të arratisej për herë të dytë e të përfundonte në tokën e lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Madje, shumë vite më pas, ai do të ishte pjesë e luftës së trupave amerikane që luftuan në Vietnam. Nuk kishte si ndodhte ndryshe. Ai e kishte provuar më shumë se kushdo se çfarë ishte komunizmi.
Marrë nga 55news.al