Kryeministri Edi Rama inspektoi ecurinë e punimeve në kantieret e reja në verilindje të vendit. Këto punime, sipas kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, janë drejt përfundimit.
“Jemi në përfundimin e viadukteve në aksin Kukës-Morinë. Është një urë shumë e veçantë, me hark, me lartësi goxha të madhe dhe për shkak të radhës teknologjike të punimeve. Ne parashikuam në vitin që vjen dhe mendojmë që brenda vitit të mbarojë kjo urë, ura numër 5 dhe të gjithë urat e tjera. Gjithashtu, kemi dy kontrata të tjera”, deklaroi Qendro.
Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, u shpreh se qeveria e mëparshme e konsideronte të përfunduar këtë aks rrugor:
“Edhe kjo hyn te fondi i rrugëve të mbaruara, sipas statistikave zyrtare, por, faktikisht po e mbarojmë ne. Brenda kontratës do të mirëmbahet siç duhet nga kompania koncesionare, kështu që do kemi një sistem shumë të përshtatshëm dhe duke shmangur përfundimisht të gjitha ato problematikat që ka pasur, edhe burim aksidentesh”.
Kryeministri pohoi se finalizimi i kësaj vepre sipas të gjitha standardeve është shumë i rëndësishëm:
“U propagandua që u bënë gjëra që nuk u bënë. Mbetën borxhet. U lanë borxhet. Mbetën kilometra pa u bërë. Janë bërë një pjesë e madhe, por finalizimi i kësaj vepre është shumë i rëndësishëm, se këtu ishte e gjithë ajo gryka e shishes që krijoheshin aksidente, që krijoheshin situata emergjence dhe ajo që është më e rëndësishmja është që, paralelisht me përfundimin e investimeve për Rrugën e Kombit, ne të kemi tani të gjithë sistemin e sigurisë të krijuar nga pagesa e rrugës”.
Po ashtu numri një i qeverisë u shpreh se qytetarët nuk kanë asnjë pakënaqësi për tarifën, por qeveria duhet t’u përgjigjet më korrektesë që të kenë një shërbim perfekt.
“Është gjë e mirë që këtu nuk ka asnjë lloj ndjenje pakënaqësie, por ka mirëkuptim të plotë. Por ajo që është e rëndësishme është që qeveria dhe kompania e mirëmbajtjes t’i përgjigjen këtij kontributi në maksimumin e korrektesës, me shërbim perfekt në shërbim të qytetarëve”.
Ministri Gjiknuri shtoi se edhe tuneli i Kalimashit po i nënshtrohet një rikonstruksioni të thellë, pasi i gjithë sistemi, ai kundër zjarrit, i kamerave, apo edhe sistemi i ajrimit ishin në rrezik real.