Kampioni i botës në artet e miksuara marciale ka marrë urime nga Kosova, nëpërmjet Remzi Ejupit. Ky i fundit, president i FC Prishtinës përfitoi nga rasti i hapjes solemne të aeroportit të ri në Stamboll për t’u takuar me Khabib.
Ejupi ka treguar se çfarë foli me njeriun më të përfolur në botë ditëve të fundit:
“I thashë që të përkrahim dhe se e ke mbështetjen tonë në Kosovë dhe se ju kemi gëzuar fitores tënde të fundit. Gjithashtu, i thashë se të presim krahëhapur në Kosovë”, ka treguar Ejupi për Zëri.info.
Ndërkohë, Khabib ia ka kthyer Ejupit se e njeh Ilir Latifin, sportistin e njohur nga Kosova me nënshtetësi suedeze, që garon po ashtu në artet e përziera marciale:
“Më tha se e njeh Ilir Latifin nga Kosova. Gjithashtu, m’u falënderua për përkrahjen që e ka nga Kosova”, ka shtuar biznesmeni kosovar, i cili shtoi se Khabib ishte mjaft i dashur dhe njeri i thjeshtë, përkundër famës dhe rezultateve që i ka arritur.