Bota e futbollit është tronditur pak ditë më parë. Rrëzimi i helikopterit të pronarit të Leicesterit, Vichai Srivaddhanaprabha, ka qenë një lajm i hidhur.
Në aksidentin e tmerrshëm humbën jetën 5 persona, ku mes tyre ishte edhe vetë Srivaddhanaprabha.
Pas përfundimit të ndeshjes ndaj West Ham, helikopteri u ul në fushë për të marrë presidentin. Por, vetëm pas sekonda pasi u ngrit në fluturim, pësoi aksidentin duke u rrëzuar jashtë stadiumit.
Të shumtë ishin edhe personat që e panë gjithë skenën, madje mes tyre edhe një shqiptar.
Leo Bruka, një i ri nga Kukësi që jeton në Leister. Ai ka qenë shumë pranë vendit të ngjarjes dhe e gjithë skena i ka kaluar para syve.
Në një rrëfim ai ka treguar momentet e aksidentit duke përshkruar me detaje gjithë ngjarjen.
Për “Vipsport.al” ai tregon:
Unë isha para stadiumit kur ndodhi ngjarja. Unë jetoj afër stadiumit dhe po merrja një porosi pasi aty kam një shok që i mban gjithmonë porositë që vijnë nga posta. Dëgjova zhurmën e helikopterit kur u ngrit brenda në stadium, pasi gjithmonë presidenti ikën me atë helikopter. Për një moment, pushoi zhurma dhe pashë lart pasi dritat e helikopterit po rrotulloheshin në mënyrë të çuditshme dhe vetë helikopteri nisi të rrotullohej si akrepat e orës. E dija që do të binte, pasi kisha parë filma dhe kisha frikë se ku do të binte.
Pashë që ra pas stadiumit dhe para meje ishte një patrullë policie që po merrej me tifozët dhe vrapuan për te helikopteri dhe nuk e dinin fiks se ku ka rënë pasi ka edhe një pyll të vogël. Vrapuam dhe pash dy policë dhe një burrë tjetër që hapi një derë nga ku u futëm për të dalë mbrapa stadiumit. Shoferi i makinës së policisë po kërkonte për zjarrfikëse, ndërsa tjetri vrapoi te helikopteri dhe u afruam për të parë. Nga pozicioni ku kishte rënë helikopteri nuk bëhej asgjë pasi helikopterit i kishte mbetur dera lart.
Hipi një polic lart dhe po mundohej të hapte derën por pa mundur, prandaj goditi xhamin e vogël me fiksen e zjarrit, ndërkohë që në bishtin e avionit kishte zjarr të vogël. Më vonë pati një shpërthim të vogël dhe atë moment nisëm të largoheshim nga helikopteri rreth 40 metra. Pas shpërthimit të parë, zjarri filloi të rritej dhe dy policët u afruan sërish dhe në atë moment unë kam nxjerrë telefonin dhe kam filmuar dhe shihet polici që godet xhamin. Askush nuk reagonte në avion dhe nuk dinim se çfarë ndodhte. Filluan të vinin shumë njerëz dhe na largoi policia. Helikopteri për fat kishte rënë në një parking që nuk përdorej kurse pak metra më tutje ishte një parkim funksional.
Një grua ishte rreth 10-15 metra më larg duke parkuar dhe kishte shpëtuar mrekullisht dhe nga shoku e frika, vetëm qante. U afruam ta mbështesnim. Më pas ishte një shpërthim i dytë shumë i fortë dhe njëri nga policët që ishte pranë, u rrëzua nga presioni i shpërthimit. Edhe policët nisën të largoheshin nga helikopteri dhe duke parë se çfarë po ndodhte, u vendosën edhe parametrat e sigurisë. Kur helikopteri ishte pezull, menduam se është një dron, por kur ra në tokë ishim të sigurt se ishte helikopter. Shtëpia ime është 2-3 minuta larg stadiumit dhe mund të kishte rënë edhe mbi shtëpinë time”.
Leo është edhe një tifoz i Leicesterit madje nuk mungon thuajse në asnjë nga ndeshjet e kësaj skuadre. Bruka pranon gjithashtu se presidenti do t’iu mungojë të gjithëve duke qenë se ishte një njeri i mirë jo vetëm për futbollin, por edhe për qytetin.