Ministri Fatmir Xhafaj është parë të punojë në zyrën e tij edhe gjatë kësaj të diele. Edhe pse dha dorëheqjen, Xhafaj bëri me dije se nuk do të largohet nga detyra derisa presidenti të dekretojë zëvendësuesin e tij Sandër Lleshi.
Ky i fundit pritet të dekretohet nga presidenti Ilir Meta, propozim ky i dërguar nga kryeministri Rama e më pas të bëjë betimin në Parlament.
Sipas Xhafajt, dorëheqja e tij ishte tërësisht vullnetare dhe se nuk ishte ndikuar nga askush, por ishte bërë “në bazë të respektit për veten e për standardet e shenjta të tij”.
“Ju jam sinqerisht mirënjohës për këto mesazhe inkurajuese. I siguroj të gjithë se dorëheqja ime është tërësisht me vullnetin tim të lirë dhe e bazuar në parime dhe vlera njerëzore e institucionale. Ajo është tërësisht respekt për veten, e për këto standarde të shenjta për mua”, shkruante ai.
Edhe një ditë më parë, Xhafaj shkoi në zyrën e tij rreth orës 11:57 të mesditës, ku qëndroi për gati 9 orë. Por, as kryeministri që pranoi dorëheqjen dhe as vetë Xhafaj nuk kanë dhënë arsyet që cuan në këtë vendim.