Nga Larry Elliott “The Guardian”/ Nga Adam Smithi e tutje, ekonomistët e kanë kuptuar se besimi është zamka që mban shoqëritë të bashkuara. Kombet ku njerëzit besojnë tek njëri-tjetri, kanë institucione më të forta, janë më të hapur, kanë më pak korrupsion, rriten më shpejt ekonomikisht, dhe janë vende më të bukura për të jetuar.
Mungesa e këtij besimi, është e dukshme në shtetet policore. Pra, është shqetësuese që besimi, është bërë një “mall” gjithnjë e më i rrallë. Në SHBA, ka pasur një rënie të shpejtë të besimit tek qeveria. Gati 4 nga 5 amerikanë, besonin se Uashingtoni po bënte gjënë e duhur, kur Ajzenhauer dhe Xhon F.Kenedi ishin në Shtëpinë e Bardhë.
Nën Donald Trumpin, kjo ka rënë 1 në 5 amerikane. Në Britani, Tereza Mej është duke u përpjekur të arrijë një marrëveshje mbi Brexit, në një kohë kur parlamenti është edhe më pak i besueshëm se sa bankat. Me shumë diferencë, sot institucioni më i besuar në Mbretërinë e Bashkuar është ushtria.
Ne nuk i besojmë biznesit të madh, nuk i besojmë bursave, nuk u besojmë gazetave – dhe sigurisht që nuk u besojmë as politikanëve. Dhe kjo nuk është thjesht një reagim, ndaj krizës financiare të një dekade më parë. Megjithëse, nuk ka ndihmuar fakti që modeli i supozuar perfekt i kapitalizmit të tregut të lirë i ndërtuar para krizës, bazohej në supozime të gabuara.
Kur Milton Fridman, tha se ishte detyra e drejtuesve të korporatave të bënin sa më shumë para që të jetë e mundur, ai shtoi se ato ende duhet të luanin sipas rregullave. Kjo sigurisht nuk qe rasti për Uoll Stritin dhe Sitin e Londrës në fillim dhe në mesin e viteve 2000 – dhe publiku në tërësi u zgjua me këtë fakt.
Por, siç e tregoi Qendra Kërkimore Pew, besimi tek qeveria amerikane, kishte nisur të binte shumë kohë përpara falimentimit të Lehman Brothers në vitin 2008. Gjërat po përmirësoheshin gjatë bumit ekonomik të presidencave Regan dhe Klinton të viteve 1980 dhe 1990, çka tregon se gjendja e ekonomisë është një faktor. Por prirja afatgjatë, ka qenë në rënie për më shumë se gjysmë shekulli.
Ngjashëm, besimi tek klasa politike e Mbretërisë së Bashkuar, ishte duke u zbehur shumë kohë përpara se kriza e strehimit, të ekspozonte të metat në sistemin financiar botëror. Lidhja midis besimit dhe rritjes së pabarazisë, u identifikua nga teoricienët politikë amerikanë Erik Uslaner dhe Miçël Braun në fillim të viteve 2000.
Aty ku pabarazia ishte më e lartë, të varfrit prireshin të ndiheshin të pafuqishëm. Duke kuptuar se pikëpamjet e tyre nuk ishin të përfaqësuara në sistemin politik, ata zgjodhën angazhimin qytetar.
Për më tepër, sipas Uslaner dhe Bruan, besimi i njerëzve tek tjetri, mbështetet në një themel të barazisë ekonomike.
“Kur burimet shpërndahen në mënyrë të padrejtë, njerëzit në krye dhe ata në fund, nuk do ta shohin njëri-tjetrin duke u përballur me një fat të përbashkët. Prandaj, ata do të kenë më pak arsye t’u besojnë njerëzve me prejardhje të ndryshme”. Me kalimin e kohës kjo krijoi terrenin për “tërmetin politik” të vitit 2016:Brexit, dhe zgjedhjen e Trump.
Mosbesimi i mbështetëse të Brexit mbetet, dhe ndjenja është e ndërsjellë. Liberalët në brigjet lindore dhe perëndimore të Shteteve të Bashkuara, mund të jetojnë gjithashtu më mirë në një vend tjetër, për të gjitha ato që kanë të përbashkëta, se sa me ata që mezi e sigurojnë jetën në shtetet e “Brezit të Ndryshkut”.
Nuk është e vështirë të kuptohet se përse ka ndodhur kjo. Ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të pagave, e cila ka qenë e justifikuar vetëm në ndonjë rast. Ecuria ekonomike, siç tregohet nga normat e rritjes, rritjet e produktivitetit dhe normat e investimeve, është përkeqësuar.
Sektori financiar, u lejua të shfrytëzonte një regjim të tipit “çdo gjë është normale” për t’u pasuruar. Rimëkëmbja nga recesioni i madh, ishte më pak e ndershmja në historinë moderne, me pjesën më të madhe të fitimeve që shkojnë tek ata që janë në krye.
Ndërkohë, mesazhi për njerëzit më pak në gjendje, ishte të kishin një dietë më të mirë, të pinin më pak duhan dhe alkool, dhe në përgjithësi të hiqnin dorë nga idetë e tyre. Në një fjalim të kohëve të fundit, në kuadër të hapjes së një shkolle të re biznesi në Universitetin e Shën Marisë, Endrju Bejli – rregullatori i Bursës së Londrës, u shpreh:“Në thelb, sistemi që operonte nga Depresioni i Madh deri në vitet 1980, mbështetej në trashëgiminë e viteve 1930, dhe në një kod pothuajse i pandryshuar në shoqëri, sipas të cilit shpërblimi i drejtuesve të lartë nuk duhet të rritet përtej një shumëfishi të pagës mesatare … Shkelja e kësaj marrëdhënieje, do të shihej si e çuditshme, dhe si një thyerje e normës që vepronte si një zamkë për shoqërinë”.
Kjo tingëllon si e drejtë. Një qasje më tolerante ndaj pagës së lartë, ka çuar në humbjen e lidhjeve që mbajnë shoqërinë së bashku. Argumenti se ekziston një shkëmbim ndërmjet dinamizmit ekonomik dhe një pabarazie më të pakët, nuk gjen shumë mbështetje në praktikë.
Inovatorët dolën me ide të mëdha të reja, kur shoqëritë ishin më të barabarta. Për më tepër, ka vende që janë shumë konkurruese dhe të barabarta. Suedia është një vend i tillë.
Ajo ka dëshmuar se është në gjendje të rritet po aq shpejt sa SHBA-ja, por me një shtet të mirëqënies sociale më bujar, dhe me një jetëgjatësi mesatare më të madhe. Nuk është e habitshme që kur qendra Pew studioi nivelet e besimit në 8 vende evropiane, Suedia renditej në krye. Nëse Britania dhe Amerika, por edhe vende të tjera duan të rindërtojnë besimin, dhe të shmangin goditje të ngjashme me ato të 2 viteve të fundit, ky është modeli që duhet të ndjekin.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce