Një pajisje e dyshimtë drejtuar ish-nënpresidentit Joe Biden u gjet të enjten në zyrat e shërbimit postar në shtetin Dellauer, zhvillimi më i fundit në një valë që ka nën shënjestër demokratë me peshë, njoftuan disa media amerikane.
Paketa është e ngjashme me të paktën nëntë të tjera dërguar në shtëpitë e ish-Presidentit Barak Obama, ish-sekretares së Shtetit Hillari Klinton si dhe të tjerë përfaqësues të Partisë Demokrate.
Policia e Nju Jorkut zbuloi të enjten herët në mëngjes një pako me përmbajtje të dyshimtë, në një lagje të vogël të Manhatanit.
Sipas njoftimeve në shtyp që citonin zyrtarët e policisë, pakoja ishte dërguar në një restorant në pronësi të aktorit Robert De Niro. Autoritetet e larguan pakon nga vendngjarja dhe po e shqyrtojnë atë.
Zhvillimi më i fundit vjen pasi hetuesit po përpiqen të kuptojnë se kush është përgjegjës për dërgimin e pajisjeve shpërthyese tek disa ish-zyrtarë apo zyrtarë aktualë si dhe në rrjetin televiziv CNN.
Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve Christopher Wray tha se hetimi i kësaj çështjeje do të trajtohet me prioritetin më të lartë.
“Kemi angazhuar burimet më të mëdha të FBI-së dhe së bashku me partnerët tanë në grupet e përbashkëta Task-Force kundër terrorizmit, do të vazhdojmë të punojmë për të identifikuar dhe arrestuar këdo që është përgjegjës për dërgimin e këtyre pakove“, tha zoti Wray në një deklaratë.
Gjatë një takimi të mërkurën vonë me mbështetës të tij Presidenti Donald Trump tha se vendosja nën shënjestër e zyrtarëve qeveritarë “është një sulm mbi vetë demokracinë e vendit”. Të enjten në mëngjes, në një postim në Twitter, ai shkruante: “një pjesë shumë e madhe e zemërimit që shohim sot në shoqërinë tonë është shkaktuar nga raportimi qëllimisht i rremë dhe i pasaktë i mediave kryesore që unë i quaj Fake News (shtypi i rremë)“.
Të mërkurën udhëheqës të të dyja partive kryesore bënë thirrje për atë që e cilësuan kthim tek qytetaria në arenën politike, një temë që zoti Trump iu referua në tubim.
“Askush nuk duhet të krahasojë shkujdesur kundërshtarët politikë me kriminelët historikë, gjë që bëhet shpesh dhe gjatë gjithë kohës. Kjo gjë duhet të ndalet“, tha presidenti. “Ne nuk duhet të sulmojmë njerëzit në vende publike ose të shkatërrojmë pronën publike. Ka vetëm një mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona dhe ajo është rruga paqësore në kutinë e votimit. Kjo është ajo që duam“, tha ai./VOA/