Më shumë se gjysma e Shqipërisë duan të largohen në një tjetër vend, ku mund të sigurojnë shkollim dhe punë më të mirë.
Studimi që tregon shifrat e frikshme, u publikua të premten, i udhëhequr nga Russell King i Universitetit të Sussex.
Studiuesi shqiptar Ilir Gedeshi, zbuloi se migrimi potencial i vendit ishte rritur nga 44 përqind në 2007-ën, në 52 përqind në 2018-ën.
Që nga rrëzimi i komunizmit, më shumë se 1.4 milion shqiptarë kanë lënë Shqipërinë, duke emigruar kryesisht në Italinë dhe Greqinë fqinje, dhe më pak në Britani, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara.
Sipas studimit, një nga motivet kryesore është motivi ekonomik. Ndryshimi i vetëm është se tashmë shqiptarët preferojnë të largohen drejt Gjermanisë dhe SHBA-ve, duke mos u joshur më nga vendet fqinje.
Pas kërkesave të shumta për azil, rreth 65 mijë në vitet 2015-2016, tashmë Gjermania po na “merr” edhe mjekët e infermierët e rinj.
“Të papunët, të pa kualifikuarit dhe të paarsimuarit ishin kategoria prej nga buronin emigrantët më parë. Tani ka ndryshuar, pasi janë të aftët, të arsimuarit, ata me një punë dhe gjendje të mirë ekonomike, që duan të emigrojnë”, tha Gedeshi për Reuters.
“Ne gjithashtu kuptuam se arsyet ekonomike kishin rëndësi më të vogël, sepse njerëzit tani duan të emigrojnë për një arsimim më të mirë. Një grup gjithashtu dëshiron të largohet sepse nuk sheh asnjë të ardhme në Shqipëri”, shtoi ai.
“Duhet gjithashtu të bëhen përpjekje për të përmirësuar dhe zgjeruar strukturën e punësimit dhe mundësive të biznesit në Shqipëri, në mënyrë që më pak njerëz të jenë pesimistë për të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe ta shohin migrimin si rrugë të vetme”, thuhet gjithashtu në studim.