Një prej personave më me rëndësi, që u përfshi në ngjarjen që ndodhi në ish-Bllok, ka dhënë dëshminë e tij. Bëhet fjalë për Ervis Martinajn, i cili mbeti i plagosur nga ngjarja e 4 tetorit.
Martinaj ka folur për hetuesit për më shumë se një orë, duke dhënë versionin e tij për ngjarjen.
“Nuk kam qenë shënjestër e asnjë atentati dhe nuk kam pasur lidhje në konfliktin e ndodhur”, ka thënë 36-vjeçari.
Sipas tij, konflikti ka ndodhur mes viktimës, Fabian Gaxhës dhe komandos Meviol Bilo. Martianj ka pohuar se ai është plagosur aksidentalisht nga konflikti i armatosur mes këtyre të dyve.
Duke iu referuar marrëdhënies së tij me të dashurin e këngëtares Gjata, Ervin Mata, Martinaj ka thënë: “Nuk kam konflikte me të dhe kam marrëdhënie korrekte”.
Biznesmeni i lojërave të fatit ka pranuar se në lokal është ftuar prej Matës: “Unë nuk kam gisht në konflikt. Unë jam gjendur aty rastësisht, pasi jam thirrur nga Ervin Mata për një takim. Me këtë të fundit kam marrëdhënie normale, nuk kemi pasur konflikte. Kam qenë i shoqëruar me Gaxhën dhe me Eljon Hatën, por jam plagosur rastësisht”.
Martinaj nuk ka dhënë shumë detaje për natyrën e konfliktit, apo për arsyen se përse Fabian Gaxha është konfliktuar me komandon Meviol Bilo dhe mikun e tij, Hoti.
Megjithatë, policia ka shoqëruar mbi 20 persona për t’i pyetur për ngjarjen në fjalë dhe nëse kanë dijeni për konflikte mes dy grupeve, raporton Panorama. Pritet që sot, Gjykata e Tiranës të rivlerësojë masat e sigurisë për Ervis Martinajn, Eljon Haton dhe Geldo Hotin. Ndërsa për tre personat e shpallur në kërkim, ka dyshime se ata mund të ndodhen ende brenda territorit të Shqipërisë.
Policia ka përforcuar masat në pikat kufitare me Kosovën, Malin e Zi, Greqinë dhe Maqedoninë.