Kuqezinjtë e drejtuar nga Gatusso janë duke kalua një moment mjaft të vështirë në këtë fillim kampionati pasi janë ndalur në barazim 1-1 edhe nga Empoli. Pavarësisht se në këtë sfidë kishte disa mungesa të rëndësishme si Higuain, Milani kishte mundësitë të dilte me tre pikë. Por një gabim amator i Romagnolit solli golin e barazimit me një 11 metërsh.
Milani e nis ndeshjen lart dhe duket dominuese në fushën e lojës, në minutën e 10’ arrin të kalojë në avantazh me anë të një goli mjaft të bukur të shënuar nga Biglia, i ndihmuar edhe nga një devijim. Më pas kuqezinjtë kontrollojnë lojën dhe përpiqen të dyfishojnë rezultatin, por Empoli fillon të fitojë terren.
Në pjesën e dytë Empoli duket më shumë kërkues dhe fillon të sulmojë më shumë portën e Donnarummas. Në minutën e 70’ është Romagnoli që bëhet protagonist me një top të larguar nga zona në mënyrë amatore dhe më pas shkaktohet një penallti e kthyer në gol nga Caputo.
Milani zgjohet në fund dhe hidhet në sulm, Suso provon në të gjitha mënyrat por e ka të pamundur të mposhtë portierin vendas. Me Empolin aktivizohet edhe Veseli që në këtë mbrëmje ishte mbrojtës i krahut të majtë dhe ka bërë një paraqitje pozitive duke pasur parasysh që përballë kishte një futbollist si Suso.