Nuk shënonte prej më shumë se gjashtë muajsh me Coloradon dhe këtë e zgjidhi në ndeshjen e fundit duke shënuar një gol me ‘hile’. Bëhet fjalë për sulmuesin e kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashin.
Kolumbus Kru ka realizuar dy herë, fillimisht me Zardes. Gashi në të 26’ barazoi shifrat, për të shkuar te goli i Higuain në pjesën e dytë. Disfatë për Kolorado Rapids, që regjistroi humbjen e 17 këtë sezon.
Më keq ka bërë vetëm skuadra e Jahmir Hykës, që dje humbi për të 18-ën herë. Lojtari i kombëtares ishte titullar kundër Los Anxheles në humbjen 2-0 që San Hoze pësoi.
Por goli i shënuar nga Shkëlzen Gashi nuk duhet humbur. Një “hile” e vogël, teksa gjatë një goditje dënimi befasoi portierin kundërshtar që po rregullonte murin mbrojtës. Kundërshtarët protestuan, por goli u konsiderua i vlefshëm.