“Çdo idiot me një hartë dhe me një pushkë po nxitet”, thotë një zyrtar ndërkombëtar në Prishtinë për “The Economist”, media e cila i ka kushtuar një artikull, idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Më tej media prestigjioze bën të ditur se Kosovës i është ndaluar anëtarësimi në Kombet e Bashkuara, edhe pasi ka 10 vjet që k deklaruar pavarësinë nga Serbia.
Serbët dhe shqiptarët janë të çoroditur, ndërsa liderët e tyre së fundi po diskutojnë shkëmbimin e pjesëzave të territoreve të populluara nga dhjetëra mijëra njerëz. Është një ide që po rrit shpresë dhe frikë në të njëjtën kohë në Ballkan, vijon shkrimi.
Prestigjiozja britanike vë në dukje se nëse Kosova dhe Serbia do t’i shënojnë përsëri kufijtë e tyre, apo vijat etnike, do të ishte një ndryshim i madh dhe me shumë gjasë destabilizues për rajonin. Për shembull, lideri i serbëve të Bosnjës mund të kërkonte pavarësi me argumentin se kufijtë e vjetër të brendshëm të Bosnjes tashmë janë zhbërë dhe e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Bosnjën. Kjo do të rrezikonte një luftë të re, shkruan ‘The Economist’.
Në artikull thuhet se ndryshimi i kufijve të dy shteteve nuk është i lehtë, por është gjithashtu shumë kontraversal, pasi është “një formë paqësore e spastrimit etnik”.
Për revistën britanike Serbia vështirë se do të heq dorë nga krahinat jugore të saj, të cilat i konsideron si pika strategjike për lidhjen me Evropën Qendrore dhe Greqinë, nisur edhe nga investimet në infrastrukturë që po bën përmes Luginës së Preshevës.
Nga ana tjetër si BE, po ashtu edhe Amerika kishin refuzuar më herët rivendosjen e kufijve në baza etnike, duke besuar se do të destabilizonte rajonin. Ata tani i kanë dhënë dritën jeshile presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiç, homologut të tij serb, për të parë nëse ata mund të arrijnë një marrëveshje. Megjithatë, do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Më 7 shtator Vuçiç nuk pranoi të takohej me Thaçin në një takim të ndërmjetësuar nga BE në Bruksel. Pastaj ai shkoi në Kosovë dhe lavdëroi Sllobodan Millosheviçin, kreun serb të kohës së luftës, i cili shtypi shqiptarët etnikë dhe pastaj pastroi etnikisht qindra mijëra prej tyre gjatë luftës së Kosovës.
Vuçiç dëshiron një garanci se nëse ka një marrëveshje, Serbia duhet të anëtarësohet në BE. Kjo është një përgjigje që BE nuk mund të japë. Por është e qartë se edhe ngritja e çështjes ka hapur perspektiva të reja për rajonin. “Ka gjithmonë mundësi të tjera,” thotë një udhëheqës i lartë shqiptar i Kosovës. Ai do të thotë se nëse Kosova nuk njihet nga Serbia dhe mund të bashkohet me OKB, ajo mund të bashkohet me Shqipërinë./TIRANA TODAY/