Spanja është duke kaluar një moment fantastik nën drejtimin e trajnerit të ri, Luis Enrique, pasi ka shkatërruar Kroacinë në ndeshjen e Ligës së Kombeve me rezultatin e thellë 6-0. Sergio Ramos në këtë sfidë arriti të realizojë një gol në minutën e 57’ dhe ajo që bëri më shumë përshtypje ishte festa e tij, pasi bëri shqiponjën me duar.
Një gjest i njëjtë me atë që bëri Shaqiri dhe Xhaka në përballjen me Serbinë në Botërorin e Rusisë. Kaq ka mjaftuar që gazeta serbe ‘Kurir’ të shkruajë se Ramos ka patur për qëllim mbështetjen ndaj Shqipërisë. Ajo shkruan se ky gjest ishte në mbështetje të Shqipërisë së Madhe, e cila përfshin toka të cilat janë brenda kufijve të shteteve fqinje si Serbia (Kosova dhe Luginën e Preshevës), Mali i Zi (pjesa jugore e vendit), Greqia (Epiri jugor), Maqedonia (pjesën perëndimore të vendit).
Në fakt Ramos nuk e bën për herë të parë këtë simbol, por siç vetë ai e ka deklaruar e ka për shqiponjat të cilat fluturojnë në male e që simbolizojnë lirinë.