Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, ministri Arben Ahmetaj është shprehur i bindur se kazinotë elektronike do të largohen nga qytetet. Sipas tij, me urdhër të kryeministrit Rama, qytetet do të marrin një hije tjetër, pasi kazinotë nuk do të jenë më pjesë e jona. Kjo masë pritet që të gjejë zbatim prej 1 janarit. Po kështu, ministri ka shtuar se për të gjithë të interesuarit, kazinotë do lejohen vetëm në hotelet me 5 yje.
“Do t’i çojmë larg, larg, larg kazinotë elektronike. Nga 1 Janari me urdhër të kryeministrit do të bëjmë pastrimin e qyteteve, dhe këto kazino do të lejohen vetëm në hotele me 5 yje”, ka thënë Ahmetaj në komision.
Dyshimeve të kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, se kësaj radhe, ligji do të hyjë në fuqi dhe kazinotë do të largohen nga qytetet, Ministri i Financave iu përgjigj duke i përmendur vendosmërinë e Edi Ramës, që kësaj radhe t’i “bindë” deputetët e tij.
Ligji parashikon që kazinotë elektronike të jenë aktive vetëm në hotelet me 5 yje.