Shqipëria do të zhvillojë dy ndeshjet e para të vlefshme për Ligën e Kombeve, përballë Izraelit dhe Skocisë. Trajneri i kombëtares shqiptare, Christian Panucci ka publikuar listën e lojtarëve që ka grumbulluar për këto dy sfida. Bie në sy rikthimi i disa lojtarëve si: Agolli, Basha, Xhaka, Lila dhe Hyka. Ndërsa nuk kanë munguar edhe risitë në këtë grup me Besir Demiri, Enea Mihaj dhe Egzon Binaku.
Panucci fjalën e tij në konferencën për mediat e nisi duke i uruar shërim sa më të shpejtë Roshit dhe Sadikut, të cilët kanë pësuar dëmtime serioze dhe do të mungojnë për një kohë të gjatë.
“Kjo është lista me 25 lojtarët e grumbulluar. Do të vijnë të gjithë këta lojtar nga nesër deri të hënën. Dua t`i përcjellë urimet më të mira Sadikut dhe Roshit, që janë të dëmtuar, urojmë që të shërohen sa më shpejt. Kemi 6 emra të futbollistëve që rikthehen në kombëtare. Hyka, Memushaj, Basha, Agolli, Xhaka, Lila rikthehen pasi nuk ishin grumbulluar të luanin në ndeshjet e fundit. Ndërkohë janë dhe lojtarët e rinj si Demiri, Mihaj e Binaku që kanë vendosur të luajnë për Shqipërinë”-tha Panucci.
Agolli në ndeshjet e fundit nuk ka qenë i grumbulluar nga tekniku italian, i cili edhe ishte shprehur që duhet të gjejmë një zëvendësues pasi mosha e tij është mjaft e madhe dhe nuk do të jetë në formë për Europianin e radhës.
“Unë gjithmonë kam thënë për Agollin, që duhet t’i gjejmë një zëvendësues për shkak të moshës së tij. Por, asnjë moment nuk kam thënë që ai nuk do jetë pjesë e jona. Unë nuk e kam thënë kurrë, jemi në një situatë ku Lenjani, Memolla, Aliji nuk luajnë. Për shkak të përvojës, e kam grumbulluar, do shohim nëse do luajë apo jo. Në momentin kur nuk komandon Kombëtarja, por komandojnë klubet për lojtarët e tyre, ne nuk kemi ç’bëjmë”-u shpreh trajneri.
Një nga lojtarët që nuk është aktivizuar për asnjë minutë në këtë sezon është Mërfim Mavraj, i cili ishte edhe siguria për mbrojtjen kuqezi. Por Panucci e ka përfshirë në listën e tij edhe pse situata është e tillë.
“Jemi një skuadër e mirë, nëse do jemi të plotë. Dikush mendon se jemi Brazili, por nuk jemi ata. Mavraj ka kohë që nuk luan, Grezda po ashtu. Roshi e Sadiku të dëmtuar. Jam përpjekur të nis një skuadër eksperte, pasi këto kanë rëndësi. Agolli e Lika kanë oshilacione në prezencën në fushë. Nëse jemi një skuadër e plotë, bëjmë mirë siç kemi bërë ndaj Turqisë, Spanjës”-tha Panucci.
Dy ndër talentet që mund të jenë pjesë e kuqezinjve më në zë të momentit janë Meritan Shabani, i cili është pjesë e Bayern Munich dhe ka shkëlqyer në prezencat e tij. Si dhe Egli Kaja, që luan me Livingstone në Skoci. Ja cfarë thotë italiani për situatën e tyre:
“Realiteti është, se Shabani nuk ka marrë ende një vendim, kjo është situata. Ai nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Këtë na ka kominukuar familja e tij. Nuk e kemi kontaktuar. Kemi shumë lojtarë, mbi 250 lojtarë. Janë edhe shumë që i kontaktojmë. Më bën përshtypje, edukata e lëkundur, pasi sido që të jetë, njeriu përgjigjet, dua të vij apo jo në Kombëtare. As nuk na kthejnë përgjigje”-u shpreh trajneri i kuqezinjve.
Cikalleshi dhe Ramadani janë lënë jashtë për shkak të aktivizimit të pakët, ndërkohë që nga futbollistët e grupit, të thirrur në Kombëtare, si Grezda dhe Mavraj, janë duke u stërvitur intensivisht sipas një programi të dhënë nga trajneri.
“Aty ku mundesha, kam marrë ata lojtarë që kanë minuta. Për momentin, kam marrë lojtarë me më shumë përvojë, duke shmangur presionin e madh për këto ndeshje. Basha dhe Lilaj, janë në vend të Ramadanit. Cikalleshi ka luajtur pak minuta për momentin. Jam i kënaqur që ky grup ka bërë mirë. Për sa i përket lojtarëve që luajnë pak, këta lojtarë nuk i përballojnë dot dy ndeshje. Edhe kundërshtarët tanë kanë probleme me të tilla çështje, lojtarë që nuk luajnë. Kjo është situata, unë flas çdo ditë me Grezdën, me Mavrajn.
Ky i fundit po ndjek një terapi serioze. Është një lojtar i cili ka përvojë, por mund të luajë vetëm një ndeshje. Për fatin tonë, kjo është skuadra. Punoj çdo ditë, ndryshe nga çka flitet se vij rrallë në Shqipëri. Di gjithçka që ndodh me ta. Të gjitha këto situata duhet të shikohen e vlerësohen. Xhaka sapo është rikthyer nga dëmtimi, por ka një karakter të fortë, ka zjarrin brenda vetes, që na shërben shumë. Edhe Grezda, qoftë me 30 minuta”-shtoi më tej trajneri.
“Pa Roshin, mund të ndryshojë sistemi deri diku. Ata luajnë me një sistem loje. Janë dy ndeshje shumë të ndryshme ajo me Izraelin dhe Skocinë. Këta të fundit të vënë në presion dhe duhet zjarr nga të gjithë lojtarët. Për ne ky kompeticion është i rëndësishëm dhe duhet ta nisim mirë. Janë dy ndeshje të ndryshme. Në Skoci, do të jetë një ndeshje zjarr. Por, për ne ky kompeticion është shumë i rëndësishëm, thelbësor. Duhet ta nisim sa më mirë, kundër Izraelit. Nuk dua t’i rikthehem të harxhoj energji negative me ndeshjet miqëosre. Tani jemi të përqendruar tek këto ndeshje zyrtare që kemi”-tha Panucci.
Në fund e mbylli duke thënë se tashmë kanë marrë fund eksperimentet, dhe nis një histori e re në Kombëtare.
Duka ka thënë që pres reagimin e skuadrës në shtator. Ju vendos në presion kjo gjë? “Duke qenë se kemi rikuperuar disa lojtarë, nuk ndjej presion. Duhet të japim një sinjal. Gjithçka që kam bërë me eksperimente, kanë mbaruar. Tani nis historia e vërtetë për Europianin. Kemi bërë një analizë të plotë me presidentin. Nuk dua të fshihem, për sa i përket momenteve delikate që kam kaluar. Më vjen keq për ata që nuk e kuptojnë, pasi kemi bërë gjëra të mira me Turqinë, Spanjën, Italinë. Tani gjithçka është zeruar, dhe fillon gara e vërtetë”-përfundoi trajneri.