Kombëtarja e Anglisë nën drejtimin e trajnerit Gareth Southgate është duke kaluar një moment mjaft të mirë, pasi arriti edhe në gjysmëfinalen e Botërorit të Rusisë. Tekniku anglez ka sjellë një frymë të re në skuadër dhe filozofia e tij ka qenë që të sjellë sa më shumë elemente të rinj. Për këtë arsye duket se sulmuesi i Leicester Cityt, Jemiey Vardy ka zgjedhur që të pensionohet nga kombëtarja. “Të jem i sinqertë me ju, e kam menduar prej kohësh”, tha Vardy për “The Guardian”.
“Nuk po rinohem dhe kjo duket, dua të jem i drejtë me trajnerin, ai dëshiron ta bëjë kombëtaren me lojtarë të rinj, e cila ka pasur përfitimet e saj gjatë Kupës së Botës. Arritëm në gjysmëfinale dhe përfunduam në vendin e katërt, e cila është e barabartë me rezultatin që kemi arritur ndonjëherë në tokë të huaj.
Kështu që i thashë Southgate që mendoj se më mirë nga tani e tutje, sidomos me mënyrën se si ai dëshiron të luajë, për të sjellë të rinjtë që ai mendon se kanë aftësinë e duhur dhe për të filluar t’i edukojë në futbollin ndërkombëtar”, shpjegoi më tej sulmuesi 31-vjeçar.
Po në të njëjtën ditë është tërhequr edhe mbrojtësi i Chelsea, Cahil. Ai shënoi pesë gola në 61 paraqitje për Anglinë, që nga debutimi i tij në vitin 2010. “Unë po shoh një brez të ri dhe mendoj se është koha e përkryer për mua që të marr një vendim të tillë. Kam qenë jashtëzakonisht i nderuar të luaj për vendin tim dhe kurrë nuk do t’ia mbyllja derën. Nëse i duhem kombëtares, sigurisht, jam në dispozicion”, tha Cahill për Chelsea TV.