Policia ka dhënë detajet e para lidhur me aksidentin e ndodhur në aksin rrugor Fier-Levan. Nga përplasja e dy automjeteve në vendin e quajtur “Liqeni”, ka mbetur e vdekur një 27-vjeçare, e identifikuar si Majlinda Troka. Kjo e fundit ishte shtatzënë në muajin e shtatë.
“Në datën 21.08.2018, ora 11.30, në aksin rrugor Fier – Levan, në vendin e quajtur “Liqeni”, janë përplasur mjetet tip “Audi” me drejtues shtetasin A.T me mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin L.T.
Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasja M.T., 27-vjeçe, e cila ndodhej pasagjere në mjetin tip “Audi”, si edhe është plagosur një fëmijë i mitur, pasagjer po në mjetin tip “Audi”.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje”, sqaron paraprakisht policia.
Dyshohet se shkak i aksidentit u bë një parakalim i gabuar i mjetit tip “Audi”, në të cilin udhëtonte edhe viktima.
******
Aksident i rëndë në aksin Levan-Fier/ 5 të plagosur, vdes gruaja shtatzënë
11:39– Një aksident që ka ndodhur para pak minutash në aksin Fier-Levan, ka sjellë plagosjen e pesë personave, e vdekjen e një gruaje shatzënë.
Tre automjete janë përfshirë në aksidentin e ndodhur në afërsi të Levanit, tek ish-lagja e Aksionistëve. Raportohet se nga aksidenti ka humbur jetën një grua shtatzënë, ndërsa kanë mbetur të plagosur 5 persona.
Në aksident janë përfshirë një automjet tip Mercedes me targa AA 446 OP, një mjet Audi me targa AA 616 FN, si dhe një tjetër mjet tip Mercedes.
Në automjetin tip Audi kanë qenë duke udhëtuar 4 persona, ndërsa në Mercedes-in me targa AA 446 OP ka qenë një çift me dy fëmijë, në mjetin tjetër tip Mercedes ka qenë vetëm shoferi.
Të plagosurit janë dërguar drejt spitalit të Fierit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.