Ish-deputeti Eduart Ndocaj, i cili ka lënë pas karrirën e tij politike, po ndjek të njëjtën rrugë si të kryeministrit Rama, atë të pikturës. “Kaubojsi” duket se ka gjetur qetësi në këtë fushë, dhe madje e ka marrë seriozisht, aq sa edhe të hapë një ekspozitë. U bë një kohë e gjatë që ai gjen urën e komunikimit përmes fotove, të cilat i ndan me të gjithë ndjekësit, përmes profilit zyrtar në Facebook. Por këtë herë, ai ka vendosur që të mbledhë së bashku të gjitha veprat e tij, për të cilat ka shpenzuar kohë e mund, e për t’ia servirur të gjithë qytetarëve e mbështetësve të tij.
“Dashamirësve të artit dhe të pikturës. Për pjesëmarrje në ekspozitën e paraqitjeve të punimeve artistike të piktorit dhe artistit Eduart Ndocaj.
Eduart Ndocaj ka nderin t’ju ftojë në hapjen e ekspozitës së punimeve të tij artistike, duke përcjellë përmes penelit, për të gjithë dashamirësit e artit dhe të pikturës, mesazhe jetësore që vijnë të kristalta nga bota shpirtërore e autorit.
Ekspozita do të hapet më 07 gusht 2018, ora 12:00, në Galerinë e Arteve, pranë Pallatit të Kulturës “Dedë Ndue Lazri”, Lezhë”, shkruan ish-deputeti “kaubojs”.
Në një intervistë të dhënë sot për “Ora News”, Ndocaj nënvizoi se ai nuk ka luajtur me dy porta, dhe se gjithmonë ka qenë në kërkim të alternativës më të mirë. Një “shuplakë” të fortë ai i ka dhënë kreut demokrat Basha, për të cilën thotë se nuk e ka seriozisht PD-në.
“Nuk kam luajtur me dy porta, kam kërkuar një alternativë më të mirë. Mendova se Basha e kishte seriozisht këtë punën e votës së lirë, por nuk e dita që e kishte sa për të ngritur pazarin, për të marrë një pjesë të tepsisë që Rama ia dha.
Nuk hëngra autogol unë, por qytetarët shqiptarë, sepse shqiptarët u tradhëtuan nga e djathta që ishte më e majtë se e majta. U tradhëtuan nga Basha që i la në mes të rrugës. Edhe pse ishin tre muaj në çadër, u mori çadrën dhe iku e hyri në kryeministri”.
Po kështu, ai është i mendimit se Shqipëria do të çalojë gjithmonë, kur në krye ka Ramën e Bashën. Për të, ata janë veçse biznesmenë, të cilët e kanë kthyer Shqipërinë në një arenë biznesi tenderash e koncesionesh.
“Basha e Rama nuk janë dy kryetarë, janë dy biznesmenë që kanë PS shpk dhe PD shpk, që e kanë kthyer Shqipërinë në një arenë biznesi tenderash e koncesionesh, dhe po shkatërrojnë ekonominë e një vendi me kazëm”.