Vajza e shkrimtarit të madh Dritero Agolli ka postuar sot një letër që shkrimtari i njohur Ali Podrimja i niste të atit të saj, me një shqetësim shumë të madh. “Vendlindja e Azem Shkrelit nuk është më nën jurisprudencën e Kosovës, po të Malit të Zi, ndërsa varri i Fahredin Gungës gjendet nën jurisprudencën e Serbisë … E, unë ku të prehem? Shqipëria, mund të më ofrojë azil?”- i shkruan Podrimja, Agollit në një letër të vitit 2003.
Postimi
“E, unë ku të prehem ?” – një shpirt i shqetësuar poeti atdhedashës , sa herë duhet ta ketë përsëritur këtë pyetje . E kur Kombi është në duart e bajraktarëve , pyetja është e thekshme, e dhimbshme. Me kë mund të ndante këtë shqetësim i madhi Ali Podrimja, përveçse me të ngjashmin dhe “vëllain” e tij poet dhe atdhetar, Dritëroin.
LETRA E PODRIMJES
– I dashur Dritëro , Ç’të bëj? Në veri ma grabisin Kosovën sërbët, në jug maqedonët, në Perêndim malazezët…
Vendlindja e Azem Shkrelit nuk është më nën jurisprudencën e Kosovës, po të Malit të Zi , ndërsa varri i Fahredin Gungës gjendet nën jurisprudencën e Serbisë …
E, unë ku të prehem ? Shqipëria, mund të më ofrojë azil? Kam rënë në hall me bajraktarët e kombit . Nuk di ç’të bëj ?…
Të qafon yt vëlla,
Ali Podrimja
26 shkurt 2003 , Ulpianë