Hyri në det për të shpëtuar motrën dhe të fejuarën, por 29-vjeçari nga Shkodra nuk ia doli dot mbanë. E motra e tij do të martohej të dielën, e mes zisë, familjarët shprehen se janë ende të tronditur. 29-vjeçari i cili u mbyt në plazhin e Velipojës, tronditi mbarë opinionin publik.
E motra e Ervid Palaj, të dielën e ardhshme do të bënte dasmën e saj. Daja i Ervidit ka folur së fundmi për “Shkodra News”, ku ka shprehur pikëllimin e tij për këtë humbje të madhe dhe ka treguar se Ervidi ishte një djalë shumë i mirë dhe punëtor. “Është një ngjarje shumë e rëndë. Ervidi ishte një djalë shumë i mirë dhe ne ndjejmë shumë dhimbje”.
Ndërsa të afërmit e tjerë kanë treguar se e motra e cila do martohej të dielën, është shumë e shokuar dhe ka deklaruar që do të qëndroj me prindërit, ndërsa për dasmën ende nuk dihet gjë.
Një i afërm është shprehur: “Jemi të shokuar nga çfarë ka ndodhur. Ervidi ishte një djalë i shkolluar dhe sillej mirë me të gjithë. Ishte djalë i vetëm. Motra e tij ka deklaruar se do qëndrojë me prindërit. Ajo ka dasmën me 15 gusht dhe nuk e di se çfarë do bëhet”.
Ervid Palaj punonte në qendrën komunitare në Dajç, si punonjës social. Në momentin kur Palaj ishte në det me të fejuarën dhe motrën, kishte ardhur batica. Ai ka mbajtur të fejuarën në sipërfaqe të ujit, duke u zhytur vetë. Pushuesit e kanë parë të gjithë skenën dhe kanë ofruar ndihmën e tyre. Dy vajzave i është dhënë një kamerdare. I riu është nxjerrë më pas në breg, por për të ka qenë shumë vonë.