Sherri në Kuvend tregon qartësisht nevojën e brendshme për protagonizëm të deputetëve, të cilët i vërsulen kundërshtarit për të arritur triumfin. Egoja kalon çdo pritshmëri, duke na ofruar një teatër të shëmtuar. Edi Rama qesh e përqesh, tallet e bën ironi me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.
E nga ana tjetër, Basha çirret me shpresën se do marrë vëmendjen e të djathtëve, të cilët janë zhgënjyer me ta, të rrëmbejë zemrat e demokratëve të flaktë, të jetë ai lideri e jo Berisha, i cili drejton çdo gjë.
Në çdo tentativë duket se Basha ka qenë një dështak i vërtetë, ku mesa duket, nuk ka takat që të rrëzojë kryeministrin Rama. Nuk do shumë mend për ta kuptuar se Partia Demokratike kontrollohet nga Sali Berisha dhe se Basha është i komanduari i tij. Të paktën kjo është trumbetuar shpesh edhe nga ish-deputetë, të cilët kanë mbetur të zhgënjyer.
Bashës i mungojnë aleatët dhe se nëse vazhdon kështu, ai rrezikon që të jetë një figurë tranzicioni.
Kreu demokrat dështoi me Tahirin, Xhafajn. Ata kanë dalë nga “vrima” ku ishin strukur, e janë përballur më të vërtetat.
Më herët, në një nga daljet publike, kryetari i PD, Lulzim Basha, sulmoi ashpër ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili tha se prokuroria po përdoret politikisht, duke thënë se vetë Xhafaj po përdoret nga kryeministri Rama. Ai u shpreh edhe për një pakt Rama-Tahiri, “ku Tahiri t’ia hedh me sa më pak kosto me qëllim që të mos dekonspirojë dosjet e tmerrshme që lidhin Edi Ramën personalisht dhe familjarisht me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, në veçanti trafikun e kokainës”.
Tashmë Tahiri është i lirë, Xhafaj është ministër. Çfarë nuk shkon në akuzat e Bashës?!
Berisha dhe Basha do vazhdojnë avazin, ndërsa Xhafaj e Tahiri ia hodhën paq.
TIRANA TODAY