Kampionati shqiptar i futbollit u mbyll duke kurorëzuar Skënderbeun kampion për të shtatën herë në 8 vitet e fundit dhe atë që po quhet drama e futbollit, rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Parë. Legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, ka reaguar pas mbylljes së Kategorisë Superiore e cila u mbyll në mënyrë të turpshme.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook, ish futbollisti i skuadrës së Flamurtarit ka akuzuar presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën, për gjëndjen në të cilën ai ka zhytur futbollin shqiptar. Kushta nuk harroi dhe të uronte ekipin e vendlindjes së tij Orikumin për ngjitjen në Kategorinë e Parë.“Urime për ekipin e Dukatit. (Oriku kush se di). Ishte një ëndërr për mua ta shikoja fshatin tim në Kategorinë e të mëdhenjve… Dinamo…Kavaja…Elbasani…Fieri…Lushnje…Peqin .. dhe më në fund Vllaznija… harrova ca ekipe po s’ka gjë dhe kjo ditë erdhi fal FSHF-së dhe presidentit që i bëri të gjithë ekipet njësoj.
Do qe bukur një turne, Tirana, Dinamo, Vllaznia dhe Dukati, shumë njerëz mërziten me ca gjëra që shikojnë, por janë këta bashkiakët. Këta njerëz që votojnë për këtë kampionat të shëmtuar”, shkruan Sokol Kushta.