Real Madrid ka vuajtur por në fund është shpërblyer me një biletë për në finalen e Champions League e cila do të zhvillohet në Kiev me fituesin e çiftit Roma-Liverpool. Madrilenët do të provojnë të vendosin një rekord të pathyeshëm në këtë kompeticion me tre trofe të fituar rresht, ndoshta për ti ndryshuar edhe emrin në Champions në Real League.Ishte Bayern Munich që edhe sonte luan një futboll të bukur dhe dominues, por që në fund nuk arrin më shumë se një 2-2 që e eliminon nga gara. Një fillim fantastik për gjermanët të cilët gjejnë golin që në minutën e 3’ me antë të Kimmich. Mbrojtësi kishte shënuar edhe golin e vetëm në “Allianz Arena”.
Por euforia për të përmbysur gjithçka nuk zgjat shumë dhe për këtë kujdeset Karim Benzema, i cili gjen golin e barzimit në minutën e 11’. Një aksion model i madrilenëve, me plot 28 pasime dhe finalizohet me një krosim perfekt nga Marcelo për tek Benzema, ky i fundit i lënë në harresë e ka mjaft të lehtë ta dërgojë topin në rrjetë.
Pjesa e dytë është akoma më fantastike, pasi rrjeta tundet pas vetëm 25 sekondash. Një gabim amatoresk i portierit bavares, Ultrich dhe Benzema përfiton për ta dërguar në rrjetë.
Gjithsesi, kur u mbush një orë lojë, një “ish” ndëshkoi Real, teksa James Rodriguez mposhti portierin Navas me një diagonale të saktë nga brenda zonës dhe më pas ngriti duart për të mos festuar. Një gol që i dha “zjarr” 30 minutave të fundit, por pritjet e Navas shmangën humbjen për Real.
Cristiano Ronaldo nuk shënoi asnjë gol në 180 minutat kundër Bayern, gjithsesi ai arriti një tjetër rekord, me 152 ndeshje të luajtura në Champions League ai është futbollisti në aktivitet që ka luajtur më shumë në këtë veprimtari.